Ekspozita e radhës “Leviathan” sjell një krijesë mitologjike në COD. Një ekspozitë aspak e zakonshme nga artisti i njohur Ergys Krisiko nën kurimin e Ajola Xoxës, pushton hapësirat e hollit protokollar dhe të sallës “Tako Artistin”, duke e ftuar vizitorin të jetë bashkëjetues me veprën. Më herët Qendra për Hapje dhe Dialog shprehej se ekspozita hapi sezonin veror. “Të ftuarit në ceremoninë e hapjes ishin të parët që u përfshinë në këtë skenografi mitologjike, ku vepra ngacmon imagjinatën duke e ftuar vizitorin të fantazojë më tej. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 15 prill 2022”, thuhet nga COD rreth ekspozitës, që u hap së fundmi në këto mjedise për publikun. Krijesa mitologjike e Leviatanit është një përbindësh nënujor i përmendur për herë të parë në Testamentin e Vjetër Biblik. Ashtu si dhe është shpjeguar në tekstin kuratorial, kjo krijesë është simbol i fuqisë së madhe krijuese të Zotit, por ka edhe anën e errët, pasi shihet gjithashtu edhe si një bishë demoniake dhe e aftë për të vrarë. Që publiku të ndiejë praninë e veprës, e të reflektojë rreth fuqisë së “Leviatanit”, nëse ajo është e errët apo e padëmshme, jashtë kryeministrisë vendosen edhe tri kuajt. Pyetja që shtrohet në tekstin shoqërues lidhur me tri krijesat që kanë një pamje të qetë, e qëndrojnë “duke ngrënë bar”, është: E nëse këta mbretër të natyrës së egër nuk kanë frikë përballë Levatianit të madh, pse duhet të ketë vizitori? Artisti Ergys Krisiko, me aktivitetin e tij është i njohur dhe i vlerësuar në fushën e artit. Edhe më parë është prezantuar për publikun me punime që kanë ngjallur interes. Këtë herë ai prezanton një ekspozitë me punime në skulpturë dhe instalacion për publikun në COD, që mund ta vizitojnë deri në mesin e muajit që vjen.







































