Mëngjesin e sotëm ka nisur sërish aksioni për shembjen e banesave që kanë mbetur ende në zonën e “5 Majit”.
Gjatë kësaj situate ka pasur edhe përplasje fizike mes banorëve dhe efektivëve të policisë. Madje banorët kanë hedhur drejt efektivëve dhe gurë, ndërsa këta të fundit janë përgjigjur me sprajt lotsjellë.
Efektivët kanë shoqëruar edhe disa prej banorëve që kanë kundërshtuar me dhunë policinë e Shtetit. Banorëve të “5 Majit” në njësinë numër 4 dhe 8 do tu shemben sot banesat.
Një prej banorëve ka vendosur që të hipë sipër tarracës së shtëpisë së tij për ta mbrojtur. Nikolli thotë se forca të shumta të policisë po bëjnë masakër duke mbrojtur pushtetin.
“Jam Gjin Nikolli. Unë kam hipur sipër banesës sepse i kam bërë thirrje policisë që të më mbrojë pronën tonë për sot nga shembja e paligjshme. Policia as më ka njoftuar fare atëherë unë kam vendosur të mbroj pronën time. Mua nuk më ka ardhur vendim por njoftim për të liruar banesën, për sa kohë nuk ka një vendim për një pronë siç është e imja atëherë unë kam vendosur për të qëndruar sipër tarracës së shtëpisë. Policia do të ndërhyjë me forcë sepse shihet numri i madh i efektivëve që kanë rrethuar zonën sikur kemi bërë ndonjë krim, thuaj sikur jemi në planet tjetër. Policia në vend që të na mbrojë por shkon nën urdhrat e pushtetit dhe kjo është katastrofë. Këtu po bëhet një masakër, këto pamje ne i kemi parë në Afganistan. Shteti është për ta sistemuar dhe jo për të na nxjerrë në rrugë të madhe. Skisha asnjë vendim tjetër veçse të rri në shpinë time”, thotë banori.










































