Saimir Tahiri e kishte denoncuar dikur për 3 raste gjyqtarin që dha vendimin për arrestimin e tij, reagon Maks Haxhia dhe zbulon gabimin që kanë bërë: E harruam!

0
198

Apeli i GJKKO-së dënoi 2 ditë më parë ish-ministrin e Brendshëm , Saimir Tahirin me 3 vite e 4 muaj burg, duke e bërë kështu të dytin ministër në këto 30 vite në Shqipëri që dënohet me heqje lirie.

Vendimi për dënimin e ish ministrit të Brendshëm është marrë nga një trupë gjykuese, e kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

Mirëpo në vitin 2014 ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri përgatiti një listë gjyqtarësh për të cilët kërkoi ndëshkim, për vendime absurde dhe që betonizonin kulturën e pandëshkueshmërisë së krimit, duke liruar të arrestuarit nga policia për krime të rënda. Tahiri e akuzonte Pëllumbin për 3 raste. Report Tv ka siguruar listën si dhe shkresën e dërguar atëherë Kryetarit të KLD-së atëherë Bujar Nishanit, për dijeni ministrit të Drejtësisë nga Nasip Naço.

Rasti më i rëndë ishte ai i se Pëllumbi kishte liruar nga burgu Hekuran Meçanaj, i arrestuar nga policia për vrasje nga pakujdesia. Një tjetër rast ishte ai i Eqerem Braçit, i cili u arrestua për plagosje të rëndë me dashje, ndërkohë që gjyqtari Engert Pëllumbi i dha ‘Arrest në shtëpi’. Rasti i tretë ka të bëjë me një aksident me pasoja, të akuzuarin serish gjyqtari e la të lirë. Për të tre këto rastet prokuroria kishte kërkuar ‘arrest me burg’.

Në letrën e dërguar Nishanit dhe për dijeni Naços Tahiri shpreh shqetësimin e madh për disa vendime të gjyqtarëve të cilët sipas tij betonizojnë kulturën e pandëshkueshmërisë në vend.

“Ju drejtohem përsëri për të ndarë me ju shqetësimin e vazhdueshëm mbi disa vendime të gjykatave, më së paku të diskutueshme në mos fort absurde, të cilat nga njëra anë kanë efekt shkatërrues mbi pritshmërinë e qytetarëve për drejtësi, por nga ana tjetër betonojnë kulturën e pandëshkueshmërisë duke ricikluar kriminalitetin dhe paligjshmërinë. Vlerësoj se vendimet e gjykatave nuk janë pronë private as e gjyqtarit të çështjes, as e palëve të përfshira dhe as e autoriteteve që qeverisin gjyqësorin, madje përkundrazi, diskutimi mbi vendimet e gjykatave përmbush dhe plotëson nevojën për respektimin e tyre dhe të gjyqësorit në tërësi. Sakaq me shqetësimin qytetar por mbi të gjitha, të detyrës që ushtroj, e gjej të domosdoshme t’Ju bëj me dije listën bashkangjitur, të cilat në vlerësimin tonë meritojnë shqyrtim të hollësishëm”, ka shkruar Tahiri.

Por i pyetur nga Report Tv në lidhje me këtë avokati Maks Haxhia, konfirmoi qe ai dhe i mbrojturi prej tij, Saimir Tahiri, nuk e kanë kujtuar një gjë të tillë dhe me këtë fakt janë njohur nëpërmjet medias. 

“Natyrisht nëse do kishim dijeni për një fakt të tillë para ose gjatë seancës së gjykimit të çështjes absolutisht që do kërkonim përjashtimin edhe pse ishte detyrimi ligjor i vet gjyqtarit që të jepte dorëheqje”, ka thënë Haxhia.

Pas një seance maratonë GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj