“Nuk u shfaq kurrë në publik”/ Një shpërthim tronditës, figura e “errët” e liderit të ISIS që u vra pas sulmit të ushtrisë amerikane

0
205

Udhëheqësi i grupit militant, Shteti Islamik, i vrarë në një sulm të Shteteve të Bashkuara në veriperëndim të Sirisë, ishte kryesisht një mister, me pothuajse asnjë fotografi të publikuar. Ai nuk u shfaq kurrë në publik ose në videot e këtij grupi.

Ai gjeti vdekjen në të njëjtën provincë të Idlibit, të kontrolluar nga rebelët, ku paraardhësi i tij, Abu Bakr al-Baghdadi, u vra nga amerikanët pak më shumë se dy vjet më parë.

Një militant veteran që nga pushtimi i udhëhequr nga SHBA-ja në Irak në vitin 2003, ai mori emrin Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi kur mori komandën e IS-it, pas vrasjes së al-Baghdadit në vitin 2019.

I takonte atij që të drejtonte pjesëtarët e mbetur të grupit, ndërsa ata u rigrupuan pas rënies së asaj që ata e quanin “kalifat” dhe u fshehën për të zhvilluar një kryengritje në Irak dhe Siri.

Vrasja e tij ndodhi në kohën kur militantët e IS-it, pas disa vjetësh sulme të nivelit të ulët, kishin filluar të kryenin sulme më të guximshme dhe të profilit më të lartë.

Muajin e kaluar, IS-i sulmoi një burg në Sirinë verilindore për të liruar shokët e burgosur, duke zhvilluar një betejë 10-ditore me forcat e udhëhequra nga kurdët. Sulmi la rreth 500 veta të vdekur.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se Al-Qurayshi ishte drejtpërdrejt përgjegjës për sulmin në këtë burg, si dhe për vrasjet masive të popullatës jazidi në Irak në vitin 2014.

“Ai ishte përgjegjës për sulmin e fundit brutal në një burg në verilindje të Sirisë… Ai ishte forca shtytëse pas gjenocidit të popullatës jazidi”, tha Biden më 3 shkurt.

“Ne të gjithë i kujtojmë historitë tronditëse, masakrat masive që zhdukën, fshinë fshatra të tërë, mijëra gra dhe vajza të reja të shitura në skllavëri, përdhunime të përdorura si armë lufte”, tha Biden.

Është e paqartë nëse vdekja e Al-Qurayshit do të ngadalësojë vrullin e grupit.

Emri i tij i vërtetë ishte Amir Mohammed Saeed Abdul-Rahman al-Mawla, një irakian në mesin e të dyzetave (i lindur në vitin 1976) dhe që besohet të jetë një turkmen etnik nga qyteti verior i Irakut, Tel Afar. Ai kishte një diplomë në Të Drejtën Islame nga Universiteti i Mosulit.

Miratimi i pseudonimit Al-Qurayshi kur u bë “kalif” i IS-it, sugjeroi se ai, ashtu si paraardhësi i tij, pretendonte lidhje me fisin e profetit të Islamit, Muhamed.

Ashtu si paraardhësi i tij, i cili u vra në fshatin Barisha – vetëm rreth 24 kilometra larg – Al-Qurayshi i kaloi ditët e tij të fundit në provincën Idlib, një zonë e mbajtur nga grupet kryengritëse armiqësore ndaj grupit militant IS.

Ai po qëndronte në një shtëpi trekatëshe në qytetin Atmeh, afër kufirit me Turqinë. Operacioni i mëngjesit të së enjtes në atë shtëpi raportohet se la të vrarë atë dhe 12 persona të tjerë, duke përfshirë katër gra dhe gjashtë fëmijë.

Pas operacionit, pak njerëz në Atmeh e dinin se kush ishte familja që merrte me qira shtëpinë.

Gazetarët në terren cituan fqinjët të thoshin se burri që jetonte në katin e fundit me familjen e tij e kishte identifikuar më parë veten si Abu Ahmad, një sirian i cili ishte zhvendosur nga lufta nga provinca e Alepit. Lodra për fëmijë, një krevat fëmijësh dhe libra fetarë, përfshirë një biografi të Profetit Muhamed, u gjetën në shtëpinë e bombarduar.

Provinca Idlib, bastioni i fundit i madh i rebelëve në Siri, është shtëpia e tre milionë njerëzve, shumë prej të cilëve të zhvendosur nga lufta civile, duke e bërë të lehtë për të huajt që të bashkohen. Shtëpia, e rrethuar me ullinj, duket se është zgjedhur nga Al-Qurayshi të jetë sa më larg syve të banorëve.

Rreth mesnatës së të mërkurës, helikopterët që bartnin forcat speciale të SHBA-së u ulën pranë shtëpisë.

“Nëse nuk largoheni, ne kemi urdhra. Do të hedhim raketa drejt shtëpisë. Ka dronë sipër”, dëgjohej duke thënë përmes një altoparlanti një burrë që fliste me dialekt irakian. Një audio është shpërndarë në rrjetet sociale.

Një shpërthim tronditi zonën më vonë dhe rrëzoi pjesën më të madhe të katit të fundit.

Videot e publikuara nga Mbrojtja Civile Siriane e opozitës, e njohur gjithashtu si Helmetat e Bardha, treguan një ndihmës mjek duke larguar nga shtëpia një vajzë të vogël për ta futur në ambulancë. Një fotografi qarkulloi më vonë në rrjetet sociale, ku shfaqej një vajzë e cila dukej rreth pesë vjeç me gjak në fytyrë.

“Ata vranë nënën dhe babanë tim”, citohet të ketë thënë vajza tek infermierët që e shpëtuan.

Nuk ishte e qartë nëse vajza ishte vajza e Al-Qurayshit.

TV Al-Arabiya tha se tri nga katër gratë që u vranë në bastisje mund të kenë qenë gratë e liderit ekstremist. Është e zakonshme që anëtarët e grupit ekstremist të martohen me deri në katër gra, gjë që lejohet sipas traditës myslimane.

Që kur mori komandën e IS-it, Al-Qurayshi ka kryesuar listën e të kërkuarve të SHBA-së dhe qeverive të tjera rajonale që luftojnë ekstremistët. Ai nuk u shfaq në publik dhe rrallë publikonte ndonjë regjistrim audio. Ndikimi dhe përfshirja e tij e përditshme në operacionet e grupit nuk dihet dhe ai nuk ka asnjë pasardhës të njohur.

Më 18 mars 2020, Departamenti i Shtetit e renditi Al-Qurayshin si një terrorist blobal. Disa muaj më vonë, SHBA-ja dyfishoi shpërblimin e saj në 10 milionë dollarë për informacionin që çonte në identifikimin ose vendndodhjen e tij.

Al-Qurayshi njihej, gjithashtu, me dy nofkat e luftës, Abu Omar al-Turkmani dhe Abdullah Karadash.

Departamenti Amerikan i Thesarit tha se Al-Qurayshi ndihmoi në drejtimin dhe justifikimin e rrëmbimit, therjes dhe trafikimit të anëtarëve të pakicës fetare jazidi të Irakut dhe se ai ka mbikëqyrur operacionet globale të grupit. Mijëra burra jazidi u vranë nga grupi dhe mijëra gra u morën si skllave në atë që grupet e të drejtave të njeriut thonë se përbën gjenocid.

Al-Qurayshi filloi punën e tij militante menjëherë pasi ish-diktatori irakian, Saddam Hussein, u hoq nga pushteti. Një vit pas pushtimit të Irakut të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003, Al-Qurayshi iu bashkua Al-Kaidës në Irak, të drejtuar nga militanti jordanez Abu Musab al-Zarqawi.

Al-Qurayshi u arrestua nga trupat amerikane në Mosul në vitin 2004, ku u mbajt për dy vjet. Gjatë burgimit, ai u bë shefi i sigurimit të Al-Baghdadit.

Pas vdekjes së Al-Zarqawit në një sulm të SHBA-së në vitin 2006, Al-Qurayshi u bë një zyrtar i lartë i grupit pasardhës të filialit të Al-Kaidës, grupi Shteti Islamik në Irak, i cili nën Al-Baghdadin u shndërrua në grupin militant Shteti Islamik.

Kur IS-i pushtoi pjesën më të madhe të pjesës veriore dhe lindore të Sirisë, si dhe veriut të Irakut dhe shpalli “kalifatin” e tij në vitin 2014, Al-Qurayshi u bë një udhëheqës i lartë.

Ndërsa, kalifati i grupit u shkatërrua në luftën e gjatë me një koalicion të udhëhequr nga SHBA-ja në Irak dhe Siri, Al-Qurayshi u fsheh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here