Partia Demokratike ka mbledhur dje Kryesinë për të diskutuar mbi kandidatët e zgjedhjeve lokale në 6 bashki. Teksa PS i ka gati emrat, PD ka pasur një proces përzgjedhje në bazë, ndërsa dje 6 emrat që i shkuan qendrës janë diskutuar në Kryesi. Basha kërkoi që secila degë në 6 bashkitë ku ka zgjedhje të dërgonte nga një emër që ata mendonin se është i duhuri dhe më pas emrat kaluan për diskutim në Kryesi. Për Bashkinë Shkodër u propozuar Xhemal Bushati, i cili më parë ka mbajtur postin e ish-kryetarit të Këshillit Bashkiak Shkodër. Ndërsa për Bashkinë Lushnjës u propozua emri i Indrit Sefës, sekretarit për Marrëdhëniet Ligjore dhe Proceset Zgjedhore në Partinë Demokratike. Ndërsa Ymer Marku ishte propozimi i degës së e PD-së në Vorë për kandidat për kryetar bashkie. Në Rrogozhinë është propozuar si kandidat më 6 mars, Ferdinand Saraçi, ndërsa në Durrës Luan Hoti. Për bashkinë e Dibrës, strukturat e PD kanë propozuar si kandidat për zgjedhjet e 6 marsit Luan Hakën. Sipas burimeve, pas disa debatesh Kryesia i pranoi propozimet dhe 6 emrat e mësipërm do jenë kandidatë zyrtarë më 6 mars.
KQZ diskuton sot koalicionet
Teksa PD ka zyrtarizuar kandidatët, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të diskutojë mbi ligjshmërinë e koalicionit mes LSI dhe Sali Berishës. Ky i fundit vendoi të bashkëpunojë me partinë e presidentit dhe u krijua koalicioni “Shtëpia e Lirisë”. Por ka shumë kontestime mbi këtë koalicion. KQZ ka njoftuar dje se do të mblidhte në orën 12.30 me këtë rend dite: Për miratimin e modeleve të dokumentacionit të punës që do të përdorin Komisionet e Qendrave të Votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie, të datës 06 mars 2022”; “Për?caktimin e Vendeve të Numërimit të Votave të ZAZ nr. 2. nr. 3, nr. 4, nr. 5, nr. 19, nr. 21, nr. 22, nr. 23, nr. 24, nr. 26, nr. 43, nr. 54, nr. 55, për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie, të datës 6 mars 2022”; 3.“Për shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e lirisë”, (SHL) për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie të datës 6 mars 2022”.
Neni që rrëzon koalicionin
KQZ pritet ta kthejë mbrapsht koalicionin, për aq kohë sa Komisioni i Rithemelimit nuk njihet si subjekt zgjedhor nga gjykata apo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më konkretisht në nenin 65 të Kodit Zgjedhore bëhet e ditur se një parti politike që është pjesë e një koalicioni duhet të jetë regjistruar nga KQZ. Mirëpo Komisioni për Rithemelimin e Partisë Demokratike nuk është subjekt zgjedhor, ç’ka do të thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të kthejë mbrapsht kërkesën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”. “Në momentin e regjistrimit, koalicioni duhet të deklarojë partinë politike udhëheqëse të koalicionit. Për nevojat e zbatimit të këtij ligji, të gjitha të drejtat dhe detyrimet që ky ligj përcakton për subjektet zgjedhore përmbushen nga partia udhëheqëse e koalicionit. Marrëdhëniet midis partive pjesëtare të koalicionit dhe detyrimet reciproke midis tyre rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet nga koalicioni në KQZ”, thuhet në nenin 65 të Kodit Zgjedhor.
6 Kandidatët e PD
1. Luan Hoti, Bashkia Durrës
2. Ferdinand Saraçi, Bashkia Rrogozhinë
3. Xhemal Bushati, Bashkia Shkodër
4. Indrit Sefa, Bashkia Lushnjë
5. Ymer Marku, Bashkia Vorë
6. Luan Haka, Bashkia Dibër