Surprizë në merkato, Sherif Tiraspoli dëshiron Lushkjen, Laçi vë kusht 350 mijë euro

0
143

Kampionati shqiptar prodhon shumë pak elementë cilësorë që janë në gjendje të çajnë jashtë vendit, pra në kampionate të forta. Pavarësisht politikave të klubeve e të federatës, niveli i dobët i kampionatit tonë nuk nxit lëvizje të shumta dalëse, pra shumë pak lojtarë cilësor të Superiore janë në gjendje të shkojnë në kampionate elitare. Edhe ata që ja dalin e nisin fillimisht nga kampionatet e dorë së dytë, ose në kampionatet e rajonit që kanë më shumë cilësi se yni, sikurse është liga e parë kroate, apo ajo hungareze, e më rrallë në kampionatet e vendeve më të zhvilluara si ai grek e zviceran. Lojtarët që kanë mundur të shkojnë jashtë nga kampionati janë me gishta,. Të tillë si Muçi e Çelhaka që dolën nga Tirana, Uzuni nga Laçi, apo Guri nga Kukësi. Gjithsesi, një sinjal po vjen së fundmi për një tjetër element cilësor të kampionatit tonë dhe bëhet fjalë për Regi Lushkjen e Laçit, një lojtar që ka disa sezone që spikat për performancën e tij dhe që ka mundur të bindë edhe kritikët se është gati për të luajtur jashtë vendit. Ka qenë paraqitja e tij me skuadrën kurbinase që ka sjellë interesimin e skautëve dhe menaxherëve të ndryshëm dhe lëvizja mund të ndodhë, pse jo, që në këtë merkato janari.

Oferta e Sherif Tiraspolit dhe këmbëngulja e Laçit

Sikurse raportojnë edhe mediumet e ndryshme sportive, Regi Lushkja pritet të transferohet te kampionët e Moldavisë, Sherif Tiraspol, një klub që është rritur shumë këtë sezon, duke shkuar deri në fazën e grupeve të Champions League. Sipas informacioneve të para, drejtuesit e Laçit po negociojnë intensivisht me zyrtarët e klubit që mundi edhe Realin e Madridit në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Pas interesimit të vazhdueshëm të moldavëve për kavajasin, presidenti i Laçit, Pashk Laska, ka kërkuar që Sherifi të bëjë ofertën zyrtare konkrete për kartonin. Referuar informacionit, Laçi do minimalisht 350 mijë euro për shitjen e mesfushorit, i cili është pa diskutim një prej lojtarëve më të mirë në rolin e tij në Kategorinë Superiore. Lushkja luan sezonin e tij të shtatë me fanellën kurbinase. Që prej debutimit në futbollin profesionist me Besën e Kavajës, mesfushori kaloi më pas te Laçi dhe u konfirmua shumë shpejt në elitën e futbollit shqiptar. “Sezonet e fundit kanë qenë mbresëlënëse për kavajasin, i cili është bërë protagonist edhe me golat e shënuar. Veçanërisht Lushkja ka bërë paraqitje fantastike edhe në Kupat e Europës, teksa në edicionin e fundit bardhezinjtë shkuan deri në turin e tretë të Ligës së Konferencës, aty ku u ndalën nga Anderlehti. Sherif Tiraspoli, përmes skautëve të tij, ka pikasur 25-vjeçarin dhe tashmë kërkon të bindë edhe drejtuesit e Laçit. Lushkja është nën kontratë me bardhezinjtë dhe natyrisht presidenti Laska kërkon të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur nga ky transferim. Synohet të përsëritet rasti i Myrto Uzunit dhe pse jo shifra të jetë më e lartë”, citohen informacionet e dala nga klubi kurbinas. Lushkja është padyshim një nga elementët më të mirë që kanë pasur ndër vite në grupin e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here