Zbardhen detajet, tritoli që vrau Erion Rexhepin ishte për Mikel Harizajn, ja lidhja mes dy ngjarjeve

0
152

Janë zbardhur detaje të tjera mbi shpërthimet e tritolit në makinën e Mikel Harizajt dhe shpërthimin e ndodhur në Cërrik më 30 dhjetor 2021. Nga hetimet për atentatin ndaj M.Harizajt dhe ato për vdekjen e Erion Rexhepit është zbuluar se këto dy ngjarje kanë lidhje me njëra-tjetrën. Me sa duket tentativa për të vrarë Mikel Harizajn orët e para të mëngjesit të 7 janarit nuk ka qenë e para. Sipas informacioneve është tentuar dhe më herët të shpërthehet me lëndë plasëse makina e Harizajt. Mesditën e 30 dhjetorit të vitit 2021, në Cërrik ka ndërruar jetë 27-vjeçari Erion Rexhepi si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde plasëse, të cilën e kishte në dorë. Pas ngjarjes u tha se ngjarja mund të ketë qenë aksidentale pasi viktima ishte person pa precedent penal. Lënda plasëse, e cila vrau Rexhepin dyshohet se ishte vendosur në makinën “Mazda” me të cilën lëvizte Mikel Harizaj. Automjeti tip “Mazda” ditën kur vdiq Rexhepi ishte në përdorim nga vjehrri i Harizajt. Dyshohet se ky automjet ka kaluar në vendin ku ndodhi shpërthimi pak minuta përpara se të ndërronte jetë Rexhepi. Me sa duket lënda plasëse ka rënë nga makina ku e kishin vendosur atentatorët në momentin që automjeti ka ulur shpejtësinë dhe është gjetur nga 27-vjeçari. Erion Rexhepi nga kureshtja e ka marrë në dorë granatën, e cila më pas ka shpërthyer, duke mbetur kështu aksidentalisht viktimë e atentatit të përgatitur ndaj Mikel Harizajt.

Dy shpërthimet

Mesditën e 30 dhjetorit në vendin e quajtur “Kryqëzimi i lagjes nr. 3” Cërrik, ka ndërruar jetë si pasojë e shpërthimit të një granate Erion Rexhepi 27 vjeç. Ngjarje e cila u dyshua që në fillim të ishte aksidentale, pasi viktima ishte një person pa precedent penalë. Një gjë e tillë u pohua pak ditë pas ngjarjes nga drejtori i Policisë Elbasan, Ardian Çipa. “Vdekja e shtetasit në Cërrik ishte aksidentale. Personi ka qenë pa probleme, Jemi duke punuar për të sqaruar rrethanat e hetimit sipas detyrimit tonë”, u shpreh Çipa për ngjarjen. Vdekja aksidentale e Rexhepit dhe dështimi i atentatit ndaj Harizajt nuk i ndaloi autorët. Ata tentuan sërish të vrisnin me lëndë shpërthyese Mikel Harizajn. Në orët e para të mëngjesit të 7 janarit, në afërsi të Selitës në Tiranë shpërtheu një automjet tip “Mazda”, i cili ishte në lëvizje. Nga shpërthimi mbetën të dëmtuar rëndë dy personat që ndodheshin në automjet, shoferi Mikel Harizaj dhe pasagjeri S.D. Pas shpërthimit dy të plagosurit u transportuan për në spitalin e Traumës në Tiranë pasi kishin marrë dëmtime të shumta në trup dhe ndodhen në gjendje të rëndë për jetën. Sa i përket shënjestrës së këtij atentati mendohet të jetë 42-vjeçari Mikel Harizaj, duke qenë se lënda plasëse ishte vendosur në anën e shoferit në makinë. 42-vjeçari në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet rezulton të ketë në pronësi një lokal dhe një market. Mikel Harizaj, i cili mbeti i plagosur nga shpërthimi i 7 janarit nuk është i panjohur për policinë. Në vitin 2009, 42-vjeçari me origjinë nga Vlora është arrestuar në vendlindje pasi ka tentuar të vrasë me granatë 3 persona. Në ambientet e një lokali mes 42-vjeçarit dhe 3 personave të tjerë ka nisur një sherr për motive të dobëta, i cili ka përfunduar me sulmimin me granatë nga ana e Mikel Harizajt. Nga ky sulm u plagos rëndë një persona dhe 2 të tjerët morën plagë të lehta. Ndërsa 42-vjeçari Harizaj u vu në pranga për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here