Biblioteka Kombëtare riçel shërbimin edhe ditën e shtunë, studiuesi Agim Janina: Ndalimi i çantave dhe dosjeve më duket pa kuptim

0
371

Shërbimi për publikun rinis edhe ditën e shtunë në Bibliotekën Kombëtare. Institucioni bën me dije se riçel këtë shërbim të shtunave, ku do të jetë në funksionim salla e shërbimit të vlerave të rralla (kati II) dhe Këndi Amerikan, por ndalohen çantat, dosjet, etj, në ndërtesë. Përdoruesit duhet të respektojnë të gjitha rekomandimet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale dhe protokollet e shërbimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Studiuesi Agim Janina thotë se nëse ky shërbim është riçelur është mirë, por në atë institucion ka të tjera probleme që duan zgjidhje. “Shërbimi që rinis dhe të shtunën është mirë, por në Bibliotekën Kombëtare ka ende probleme që kërkojnë zgjidhje. Biblioteka Kombëtare duhet të jetë tempull i dijes, por sa është i tillë?”, thotë studiuesi i artit Agim Janina. Në momentin e paraqitjes në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë përdoruesit duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse (duke mbuluar hundën dhe gojën), të detyrueshme të mbahen gjatë gjithë kohës së qëndrimit në mjediset e saj, ku institucioni bën me dije se ndalohet dhe futja e sendeve vetjake. “Të respektojnë masat e distancimit fizik; të dezinfektojnë duart me higjienizues, i cili u vihet në dispozicion në hyrje të ndërtesës, si dhe në çdo sallë leximi. Përdoruesve u ndalohet futja e sendeve vetjake (çantë, dosje, etj,) në ndërtesë”, shprehet institucioni.

 Në bibliotekë mbahen dhe shënime

Biblioteka Kombëtare që ka rifilluar shërbimin për publikun çdo ditë të shtunë të javës, bëhet me dije se ky shërbim do të jetë nga ora 08:00 deri në14:00, ku do të jenë në funksionim salla e shërbimit të vlerave të rralla dhe Këndi Amerikan. Sipas njoftimit të institucionit ndalohen në ndërtesë sendet vetjake, por kjo për studiuesin e artit Agim Janina është e pakuptimtë. “Masat higjenike janë të domosdoshme, por ndalimi i çantave dhe dosjeve më duket pa kuptim. Aty nuk lexohet vetëm, por mbahen edhe shënime mbi çfarë të intereson”, shprehet Janina në një reagim të tij, për njoftimin e Bibliotekës Kombëtare që u bë më 7 janar. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë më parë ka qëndruar dhe mbyllur për disa muaj për shkak të pandemisë. Më pas me rinisjen e shërbimeve të saj, ku bëhej fjalë dhe për hapje të pjesshme të sallave të leximit bëhej me dije gjithashtu për përdoruesit, që kanë nevojë të shfrytëzojnë materiale bibliotekare në respektim të protokolleve të higjienës dhe të distancimit fizik. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917, në kontingjencat e njohura të Luftës së Parë Botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar. Nga institucion në varësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BK kaloi në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here