Festivali i RTSH/Josif Papagjoni: Po poshtërohet muzika dhe poezia shqiptare, nuk duhet lejuar një bastardim i tillë

0
377

Festivali i Këngës në RTSH përfundoi edicionin e 60 në dhjetorin, që lamë pas. Në konkurrim ishin 20 këngë dhe fituese u shpall “Sekret” kënduar nga Ronela Hajati. Edhe këtë vit festivali po vijon me reagime të autorëve të muzikës, këngëtarëve, studiuesve të artit e më gjerë. Kënga fituese ka ngjallur diskutime të shumta, por studiuesi e kritiku i teatrit, kinematografisë e letërsisë profesor Josif Papagjoni pasi ka lexuar tekstin e “Sekret” kënduar nga Hajati shprehet se po i bëhet një poshtërim poezisë shqipe. “Kaq shumë diskutim ka ngjall kënga fituese e Festivalit të Këngës…E lexova dje, e rilexova sot. Tmerr!…Ç’është kjo neveri?! Ç’është ky poshtërim, që i bëhet poezisë shqipe! Ç’është kjo katundari kështu!”, thotë kritiku i artit profesor Josif Papagjoni. Tekstet e këngëve dhe muzika në festival kanë vite, që kanë sjell diskutime. Herë pas here kritikat kanë qenë dhe ndaj atyre, që kanë bërë përzgjedhjen e këngëve konkurruese në Festivalin e Këngës në RTSH apo dhe jurive ndër vite. Kritika për jurinë ka dhe profesor Josif Papagjoni, që i ka shkruar dhe në statusin e tij në Facebook. Kritiku dhe studiuesi Papagjoni shprehet se edhe sikur muzika të ishte mrekulli, ajo paçavure nuk duhet të fitonte në Festivalin e Këngës në RTSH. “Një shuplakë sikur ndjej fytyrës, në fakt u duhet flakëritur atyre që i kanë dhënë çmimin e parë. Edhe sikur muzika të ishte një mrekulli, vetëm nga kjo paçavure vargjesh ajo s’duhej të fitonte kurrgjë veçse një kritikë të rreptë”, vijon më tej kritiku i artit profesor Josif Papagjoni.

Një diskutim të rreptë

Autorë të ndryshëm janë shprehur se një varfëri në tekstet e këngëve u pa këtë vit në festival, ku komentet kanë qenë të shumta dhe në rrjetet sociale për tekstin e këngës fituese “Sekret”. Edhe për profesor Josif Papagjonin duhet të ketë një diskutim të rreptë, dhe nuk mund të përdhoset shqipja dhe poezia shqipe. “Unë i bëj thirrje, së paku poetëve dhe mjeshtërve të fjalës që u dhemb në shpirt kjo fjalë, të mos lejojnë një bastardim të tillë! Le të çelet një diskutim i rreptë! S’mund të përdhoset shqipja dhe poezia në këtë farë feje. Do të më thonë se askush nuk i pyet poetët. Them se s’është kështu! Së paku, zëri i tyre do t’ua prishë gjumin disa njerëzve që quhen juri”, shprehet studiuesi Papagjoni. Me këngën “Sekret” Ronela Hajati do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”, që do zhvillohet në Torino të Italisë këtë vit. Festivali në dhjetorin e vitit që lamë pas u zhvillua në datat 27, 28 dhe 29 në Pallatin e Kongreseve. Por festivali u shoqërua me kritika jo vetëm për këngën fituese “Sekret”, por dhe për atë se çfarë përcolli në këtë jubile. Autorë të ndryshëm të këngës janë shprehur, që këtij edicioni i munguan në garë emra të njohur të muzikës, por dhe pak këngë në konkurrim. Festivali i parë i Këngës u mbajt më 21, 22, 23 dhe 26 dhjetor të vitit 1962 dhe kishte 20 këngë konkurruese.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here