Ish-kryeministri Sali Berisha duket se ka ndryshuar kurs 180 gradë, pas dështimit për të marrë me dhunë Partinë Demokratike dhe trembur Lulzim Bashën. Pasi Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar dhe së fundmi nga strukturat qendrore të PD-së, ish-kryeministri Berisha ka nisur një betejë për të rrëzuar Bashën. Ai dhe mbështetësit e tij kanë shkuar disa herë në selinë blu me qëllimin për ta “pushtuar” atë, por nuk kanë pasur rezultat. Kështu që gazeta ka mësuar se Berisha po kërkon pazare me kryedemokratin Basha, në mënyrë që ky i fundit ta amnistojë. Dje deputetëve të Partisë Demokratike iu ka shkuar një mesazh nga selia qendrore me porosi të Bashës, teksa bëhet e ditur se Berisha po dërgon mbështetësit e tij në selinë e PD, pasi kërkon të bëjë “armëpushim” me Bashën. Mirëpo kjo kërkesë nuk ka për të ndodhur, sepse kryedemokrati është i vendosur dhe se për të ish-lideri i Partisë Demokratike i përket të shkuarës. “Fakti që Berisha ka dështuar për ta larguar Lulzim Bashën nga drejtimi i PD ka krijuar një amulli dhe shtrëngim të brendshëm edhe tek ndjekësit më fanatikë të Sali Berishës. Me sa duket është shumë e vështirë që njerëzit të besojnë verbazi se Berisha që nuk po largon dot Bashën do të ketë sukses në largimin e Ramës. Prandaj ai dërgon ato delegatët e tij për t’i kërkuar tanimë Lulzim Bashës paqen, të cilën nuk do ta marrë”, thuhet në mesazh. Po ashtu në mesazhin për ligjvënësit demokratë, Basha nënvizon faktin se Berisha dhe ithtarët e tij janë të tmerruar që tashmë i përkasin së shkuarës. “Ironikisht delegatët e Berishës futen në shtëpinë e PD dhe e gjejnë atë të veshur me sloganin e të “zgjedhurit të ardhmes” që është një bombë që u bie mbi kokë pasi i kujton deklaratën e Juri Kim”, thuhet në mesazh.
Në janar Berisha me parti më vete
Më tej në mesazhin që iu ka shkuar deputetëve dhe që është porosi e kryedemokratit zbulohet edhe një pjesë e skenarit të së afërmes së ish-kryeministrit Sali Berisha, duke qenë se ky i fundit dështoi të rrëzonte Lulzim Bashën nga drejtimi i Partisë Demokratike. Në mesazh thuhet se në janar Berisha pritet të dalë me grup parlamentar dhe parti më vete, për shkak se aksioni i tij rezultoi flluskë sapuni. “Ajo çfarë pritet të bëjë Berisha është krijimi i një force politike që do të nisë duke krijuar një grup të ri parlamentar. Se si do të zhbalancohen deputetët e Berishës, kjo është për t’u parë, pasi pakkush mund të pranojë të komandohet në çmendurinë e humbjes. Një tjetër alternativë është që Sali Berisha të tërhiqet me dhimbje në humbjen më dëshpëruese dhe të merituar të tij, atë të një PD-je që do vazhdojë rrugëtimin”, thuhet në mesazh. Megjithatë në mesazhin drejtuar demokratëve bëhet e ditur se ish-kryeministri Sali Berisha dhe partia e tij do të dështojnë, duke sjellë si shembull disa subjekte të tera të krijuar rishtazi si ajo e Jozefina Topalli, që u shkërmoq sa hap e mbyll sytë. “Nëse ai kërkon që të ruajë sadopak integritet në atë forcë politike dhe të mos përfundojë si Jozefina Topalli apo si Genc Pollo do t’i duhet të zgjedhë të dytën. Për rrjedhojë do t’i duhet të tërhiqet urtë e butë dhe të lejojë PD-në të zhvillohet e pavarur nga fati i tij dhe familjes së tij. Ndoshta vetëm kështu do të ketë një shans për të shëlbuar veten e tij nga mëkatet që ka kryer këto kohë”, thuhet në mesazh.












































