Peshëngritja shqiptare regjistroi një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare, pasi kthehet me medalje nga Kampionati botëror që po zhvillohet në Tashket të Uzbekistanit. Në kategorinë trupore deri në 73 kg, në baterinë A, garuan në këtë Botëror dy sportistët tanë më të mirë të peshëngritjes, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj. Shkodrani u paraqit mjaft mirë, por nuk realizoi plotësisht provat. Megjithatë, performanca e tij ishte e cilësisë së lartë dhe duhet thënë se pr të garuar në këtë peshë ai kishte humbur shumë kilogramë. Por afër medaljes së artë në dygarësh ishte padyshim Briken Calja, i cili mori medalje ari në shkëputje, të argjendtë në shtytje e në dygarësh, duke i dhënë Shqipërisë 3 medalje nga ky Botëror, arritja më e madhe e shtangës tonë deri tani në garat zyrtare të peshëngritjes në rang botëror.
Gara e Caljes
Në Botërorin e Tashkentit nuk kishin ardhur disa shtangistë kinezë dhe rusë e të disa vendeve të tjera të kësaj peshe trupore. Gjithsesi, performanca e Caljes ishte mbresëlënëse sidomos në stilin e shkëputjes. Ai e nisi garën në provën e parë me 152 kg, duke e ngritur në mënyrë të suksesshme. Po suksesshëm ai ngriti edhe provën e dytë me 154 kg dhe “vulosi” medaljen e artë në provën e tretë me 156 kg. Në këtë stil ai ia doli mbanë të zërë vendin e parë dhe të meritonte medaljen e artë, një medalje shumë domethënëse për peshëngritjen shqiptare, sepse është e para e këtij lloji në Shqipëri. Më herët medalje argjendi kishte arritur Ilir Suli në vitin e largët 2002. Në stilin e shtytjes Briken Calja ishte sërish shumë lart, duke e nisur garën me 180 kg, provë që e realizoi me sukses. Në këtë stil ai pati rivalitetin e indonezianit, Ervin Abdullah Rahmat. Në provën e dytë Calja ngriti 186 kg dhe u duk se do ta siguronte medaljen e artë. Por indoneziani qëndroi deri në fund, duke i dhënë vetes besim se mund ta përmbyste shtangisti tonë. Rivali Abdullah Rahmat kishte ngritur 151 kg në stilin e shkëputjes dhe duke qenë se argjendin e kishte në “xhep”, i duhej një peshë ekstreme në provën e tretë që të siguronte medalje ari në dygarësh dhe ai e tentoi në fund këtë. Calja tentoi 190 kg në provën e tretë, por nuk ia doli, kurse indoneziani ngriti 192 kg, duke bërë që në dygarësh të shkonte 343 kg, një më shumë se Calja që ngriti 342 kg. Me pak fjalë, indoneziani mori dy medalje ari kurse Calja mori tri medalje, një ari e dy argjendi dhe ky është padiskutim një nga prezantimet e tij më të mira ndërkombëtare dhe rezultat me vlera të mëdha për shtangën shqiptare.
Qerimaj si vera, sa më e vjetër aq më e mirë
Erkand Qerimaj, veteran tashmë, tregoi dhe një herë tjetër se është shtangist i madh. Ai vijon të mbajë rezultate të larta në garat ndërkombëtare dhe mbrëmë ju afrua ndjeshëm medaljes, por vetëm vend i katërt për të. Qerimaj, me pak fat mund të kishte fituar tri medalje bronzi në këtë Botëror, pasi iu afrua ndjeshëm me vetëm një kg më pak. Qerimaj ngriti në stilin e shkëputjes 153 kg, në provën e tretë, ndërsa stilin e shtytjes e mbylli me vetëm një provë të saktë atë të dytën, me 180 kg, ndërsa dështoi në provën e tretë me 183 kg, çka do ta fuste në zonën e medaljeve. Gjithsesi, vendi i katërt në Botëror ishte një garë dhe rezultat shumë i mirë për të, pasi është në pozitat e shpërblimit.







































