Zbardhet pasuria e krerëve të drejtësisë. Gazeta ka siguruar deklarimet pranë ILDKP të krerëve të organeve drejtuese të drejtësisë. Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka deklaruar 2.9 milionë lekë të ardhura nga paga, 1 milionë lekë nga paga si ish-drejtor i Shkollës së Magjistraturës, 7.3 mijë euro si ekspert për përgatitjen e Komentarit Elektronik për ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, 5 mijë euro nga dhënia me qira e shtëpisë në Tiranë, si dhe 400 mijë lekë për referim në Konferencën e 75 vjetorin të Çlirimit të Atdheut, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe si anëtar në bordin editorial të Revistës Avokatia. Kreu i SPAK Arben Kraja deklaron 4.7 milionë lekë të ardhura nga paga për vitin 2020, 164 mijë lekë nga obligacionet si dhe 7.8 mijë euro pagesë për dëme nga tërmeti i nëntorit 2019. Bashkëshortja e tij, Gladiola Kraja deklaron 2.9 milionë lekë ose 29 mijë USD të ardhura nga punësimi në Bankën e Shqipërisë si dhe 250 mijë lekë të ardhura nga shitja e një automjeti. Shefja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj ka deklaruar 1.2 milionë lekë të ardhura nga paga në Policinë e Shtetit deri në gusht të vitit 2020. Kryeprokurori Olsian Çela deklaron vetëm 2.7 milionë të ardhura nga paga si prokuror dhe nga mësimdhënia në Shkollën e Magjistraturës. Kryeprokurori nuk ka të ardhura të tjera. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani deklaron 2.1 milionë lekë të ardhura nga paga e tij si dhe 2.1 milionë lekë pagën e bashkëshortes pranë AMF-së. Metani, gjatë vitit 2020, ka marrë një kredie me vlerë 6 milionë lekë për blerje banese dhe mobilim.
Krerët e KLGJ dhe KLP
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, gjatë vitit 2020, ka përfituar 120 m2 truall në Tiranë, lënë trashëgim nga nëna e saj si dhe ¼ pjesë të një apartamenti në Kavajë. Zonja Llagami deklaron 2.6 milionë lekë të ardhura nga paga si kryetare e KLGJ dhe nga pjesëmarrja në Këshillin Drejtues në Shkollën e Magjistraturës. Ndërsa paga e bashkëshortit të saj, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave është 1.3 milionë lekë. Ndërsa Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, deklaron se është pronar me 33.33 të pjesës i 22 pasurive të paluajtshme, ku përfshihen mbi 40 mijë m2 truall, 6 magazina me sipërfaqe nga 300 m3 deri në 1 mijë m2, ndërtesa, apartamente, garazhe etj. Ibrahimi ka në pronësi me 50 % të pjesës së një vile në Lundër, 238 m2 dhe me vlerë 237 mijë euro, pronë të cilën e ka përfituar në vitin 2010. Ibrahimi ka përfituar me trashëgimi nga nëna 17 % të një tjetër vile në Lundër të Tiranës, 238 m2, me vlerë 237 mijë euro. Më parë ka lidhur një kontratë sipërmarrje me një kompani private, nga e cila do të përfitojë dy apartamente, një dyqan dhe një vend parkimi në Skelë të Vlorës, me vlerë 150 mijë euro. Ibrahimi ka deklaruar dhe makinë 45 mijë USD. Të ardhurat vjetore, nga paga e tij, e bashkëshortes dhe qiratë janë 80 mijë USD. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese në detyrë, Vitore Tusha ka deklaruar: Vitore Tusha, ajo ka deklaruar: Llogari rrjedhëse, 2.542.765 lekë; Llogari rrjedhëse, 280 euro; Paga si kryetare në detyrë e Kushtetueses, 3.402.954 lekë; paga si Zv/kryetare e KED, 462.573 lekë; Të ardhura nga Shkolla e Magjistraturës, 27.033 lekë; Bashkëshorti, pension të parakohshëm, 580.600 lekë; Djali, bursë studentore nga Bashkia e Tiranës, 81.500 lekë; Vajza 4 llogari bankare, 174.683+73.959+93.909+200.052 lekë ; Fitimi neto i vajzës si notere, 2.336.625 lekë; Vajza, të ardhura nga mësimdhënia, 56.429 lekë ; Vajza e dytë, 3 llogari bankare, 8.752 euro+1.364 euro+ minus 469 lekë; Vajza e dytë të ardhura nga puna në Itali dhe paketa e ndihmës në këtë shtet, 2.739+7.007 euro; Vajza e dytë, paga pranë Auto 1 Albania, 1.370 euro.