U arrestua për trafik kokaine, gjykata shpall të pafajshëm ish-oficerin e RENEA-s, pushohen hetimet për Xhulio Liçin

0
143

Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm ish-efektivin e RENEA-s Xhulio Liçi, i arrestuar gjatë një operacioni antidrogë. Ditën e djeshme u vendos nga gjykata pushimi i akuzës për ish-efektivin e forcave speciale RENEA. Liçi u arrestua me akuzën për prodhim të lëndëve narkotike, pasi në makinën në të cilën ishte së bashku me Ded Nimanin dhe Luan Gaçin policia gjeti 1 kilogram e 88 gramë kokainë. Gjykata vendosi të lërë të lirë Liçin dhe Gaçin pasi ndaj tyre nuk u gjetën prova që ata të kishin dijeni për kokainën. Gjykata bëri të ditur në një njoftim për median se në 14 shtator të këtij viti ka shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për pushimin e akuzës dhe vendosi miratimin e këtij vendimi, duke mbyllur dosjen ndaj ish-efektivit. Prokuroria bëri me dije se, nga hetimet dhe dëshmitë e mbledhura ish-efektivi Liçi nuk rezulton të ketë pasur dijeni për drogën apo të ketë qenë pjesë e shpërndarjes së lëndës narkotike. Gjë të cilën e ka dëshmuar dhe Ded Nimani, i cili ka marrë përsipër përgjegjësinë për trafikun e lëndës narkotike. Ai u shpreh se ish-efektivi Xhulio Liçi ndodhej rastësisht në automjetin e tij, pasi e kishte marrë rrugës duke u kthyer nga Durrësi për në Tiranë. Nimani, që ka pasur dhe më parë precedentë penalë në fushën e narkotikëve është dënuar me 4 vite e 8 muaj burg, me dënim të shkurtuar.

Arrestimi i ish-efektivit

Më 14 maj të këtij vitit u bë me dije nga policia se ishin arrestuar një punonjës policie, Xhulio Liçi dhe dy shtetas të tjerë, Ded Nimani dhe Luan Gaçi pasi u është gjetur 1 kilogram e 88 gramë lëndë narkotike kokainë. Arrestimi i tre personave në maj të këtij viti u bë në kuadër të finalizimit të operacionit “Baroni”, pasi ish-efektivi ishte në vëzhgim nga SHÇBA pas informacioneve për veprimtari të paligjshme. Xhulio Liçi së bashku me dy personat e tjerë janë arrestuar në aksin rrugor Tiranë-Durrës, në zonën e Ndroqit, rruga e vjetër. Policia njoftoi se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike me peshë totale 1 kilogram e 88 gramë, dy automjete, 5 aparate celularë dhe një armë zjarri pistoletë me municion luftarak. “Specialistët e Seksionit për Hetimin e narkotikëve në DVP Tiranë , bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “BARON”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: Luan Gaçi, 43 vjeç, banues në Vorë, Xhulio Liçi, 28 vjeç (punonjës policie) banues në Fier dhe Ded Nimani, 62 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve. Mbi bazën e informacioneve të marra nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë se shtetasit Ded Nimani dhe Luan Gaçi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve konkretisht duke blerë kokainë në sasi 1 deri në 2 kilogramë, dhe më pas duke e shitur atë në zona të ndryshme të Tiranës”, njoftoi policia ditën e arrestimit. Të arrestuarit akuzoheshin për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here