Miratohet mes debatesh paketa fiskale, TVSH 10% për inputet bujqësore dhe hiqet skema e rimbursimit, kërkohet hetim për fabrikat e qumështit

0
18

Komisioni i Ekonomisë në mbledhjen e ditës së djeshme ka miratuar mes debatesh paketën e re fiskale. Ndër ndryshimet e miratuara në komision në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, ishte heqja e përjashtimi nga TVSh-ja i inputeve bujqësore dhe vendosja e një shkalle të reduktuar të TVSH-së në masën 10%. U hoq përjashtimi nga TVSH-ja  në import, për importin e makinerive prodhuese nga subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, si dhe u hoq skema e kompensimit të prodhuesit bujqësor duke kaluar nga shkalla e reduktuar 6 % në 0%. Nga ana tjetër mbledhja e komisionit është shoqëruar me debate mes deputetit socialist Erion Braçe dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina  Ibrahimaj. Ndryshimet e propozuara nga ministrja në projektligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” u kundërshtuan nga deputeti. Sipas tij ato vijnë në një kohë kur në tregjet ndërkombëtare janë rritur çmimet e inputeve bujqësore. “Nuk ka mundësi të ndodhë rritja e taksave kur rriten çmimet e inputeve bujqësore. Prej muajt prill në tregjet e huaja çmimet e inputeve bujqësore janë rritur dhe kjo taksë do të transmetohet e plotë te kostoja e punës të bujkut. Nuk ka asnjë vend sot në Europë që të diskutojë paketë fiskale me rritje kur çmimet janë në rritje. Përjashtimet nuk nisin nga sektori që është më në hall”, tha ai. Ministrja deklaroi se heqjet e përjashtimeve të sektorit do të zëvendësohen me skema subvencionuese direkte për fermerin duke shtuar se fondi për vitin që vjen është 3,2 mld lekë. “Me skemën e TVSH-së  6% subvenciononim grumbulluesin, kurse tani do të subvencionohet direkt fermeri. Skema e subvencionimit do të bazohet te auto fatura me TVSH zero për vlerën e mallit që do të lëshojnë fermerët. Fondi për subvencionet e fermerit është 1,4 mld lekë më shumë se 2021. Në ndihmë të fermerëve do të jetë edhe fondi 200 mln lekë për mbështetjen e investimeve e reja”, tha ministrja.

Kërkohet hetim për fabrikat e qumështit

Ndërkohë debate ka sjellë edhe përjashtimi i fabrikave që deklarojnë në etiketën e tyre që përdorin qumështin pluhur në produktet që prodhojnë. Deputetët e opozitës janë përplasur me ministren e Ekonomisë duke kërkuar llogari se kush do të paguajë taksën ndërkohë që këto fabrika përjashtohen. Ministrja e Ekonomisë nga ana tjetër sqaroi se përjashtohen vetëm ato që e tregojnë në etiketë, dhe jo të gjitha fabrikat. Ibrahimaj pranoi dyshimet se qumështi pluhur përdoret tek qumështi natyral, teksa diskutimet kanë vijuar  edhe për përdorimin e vajit të palmës. Ndërkohë kryetari i komisionit Eduard Shalsi kërkoi hetim të importuesve të qumështit pluhur dhe të vajit të palmës. Sipas Shalsit, duhen të dhëna për sistemin e importimit dhe shitjes. “Kam një merak mbi rëndësinë e të dhënave sidomos mbi sistemin e gjurmueshmërisë. Ky vaji i palmës që është bërë problematik, kush janë importuesit, nga e marrin, ku e përdorin. Ku shitet qumështi pluhur, nga dogana tek fundori. Duhet të investojmë mbi gjurmueshmërinë. Të dhënat duhet të dalin në kohë reale, do e vijon betejën për sistemet e gjurmueshmërisë”, tha ai.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj