Ligji për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme/Shoqata: Ministria e Drejtësisë të zgjasë afatin e konsultimit

0
34

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) ngre shqetësimin për klimën, frymën dhe nxitimin në të cilën po tentohet të zhvillohet procesi konsultativ në lidhje me Projektligjin “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”.

Drejtori Ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria thotë se procesi i konsultimit të projektligjit zgjati 6 muaj, por në përfundim të tij nuk rezulton të prezantohet drafti i dakordësuar dhe për këtë arsye kërkohet më tepër kohë për konsultimin. Sipas përfaqësuesit të Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme në takimin përmbyllës për konsultimet e projektligjit nga Ministria e Drejtësisë nuk është paraqitur drafti me ndryshimet e propozuara nga NAREA.

“Gjatë ditës së djeshme (3 Nëntor 2021), pothuajse në përfundim të orarit zyrtar, jemi njoftuar nga Ministria e Drejtësisë për një takim përmbyllës konsultativ për ditën e premte, datë 5 nëntor 2021, duke lënë kështu në dispozicion, për të konsultuar paraprakisht një Projektligj kaq të rëndësishëm për ne, vetëm 1 ditë pune. Marrë në konsideratë këtë, e bën të pamundur dhënien e një kontributi ndërtues nga komuniteti i biznesit të NAREA.

Si NAREA shprehim jo vetëm shqetësimin tonë, por dhe kërkesën ndaj Ministrisë së Drejtësisë, si institucion ligj hartues, që të marrë në konsideratë krijimin e hapësirës kohore të nevojshme, duke mos nxituar të përmbyll Konsultimin dhe vetë Projektligjin në fjalë, për të ndërtuar bashkërisht një Ligj të qëndrueshëm në kohë dhe që i shërben të gjithë aktorëve në këtë proces.

NAREA dëshiron të ndaj dhe me ju, se mbetet e përkushtuar që të japë kontributin ndërtues, si dhe të udhëheqë nëse është e nevojshme, drejtë standardeve më të larta të një kuadri Ligjor dhe Rregullues të Ndërmjetësimit të Pasurive të Paluajtshme. Ne dëshirojmë kështu mirëfunksionimin e këtij sektori sipas praktikave më të mira në vendet e zhvilluara si Europa dhe SHBA”, thuhet në njoftimin e NAREA.


PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj