21 vjet më parë, ishte koha kur Shqipëria po bënte përpjekjet e para për të dalë nga koraca e hekurt e bunkerit komunist.
Në shtypin vendas nuk kishte informacion për atë çka ndodhte, megjithatë njerëzit, përmes mediave të huaja, merrnin lajmet më të fundit. Kishte disa intelektualë që flisnin me zë të hapur.
Ndonëse kishte zhvillime të shumta në vend dhe interesim të madh nga gazetarë të vendeve të ndryshme për të përcjellë këto zhvillime, Sigurimi i Shtetit mbante nën vëzhgim çdo lëvizje të tyre.
Sigurimi i Shtetit në kohën e komunizmit, i njohur ndryshe si Shërbimi i Sigurimit Kombëtar, Inteligjencës dhe i Policisë Sekrete të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (RPSSH’së), ishte një nga institucionet më të rëndësishme të diktaturës, që në fakt nuk i shpëtonte asgjë.
Parrotlla.org ka siguruar disa përgjime të kryera nga ky institucion ndaj gazetarëve të huaj që vizitonin Shqipërinë në fillim të viteve 90’ta. Siç shihet edhe në dokumentin e mëposhtëm, mes gazetarëve të përgjuar është edhe gazetari nga Kosova, Milaim Zeka.
“Melahim Zeka, shqiptar nga Kosova i larguar në vitet 1981-1982, me punë në Norvegji e Suedi, ardhur në vendin tonë, si përkthyes i gazetarit Mat Svetson, është shprehur: “Marksizëm-leninizëm nuk është ideologji që i përshtatet Shqipërisë. Shqipëria duhet të gjejë një mënyrë apo formë që të plotësojë nevojat e popullit. Ideologjia më e mirë është ajo që i shërben Atdheut. Fjala e shokut Ramiz në OKB ishte fjalimi më i mirë i deritashëm dhe Ai foli për të gjitha problemet e kombit shqiptar dhe jo vetëm për Kosovën.. Masat demokratizuese që janë marrë në Shqipëri duhej të ishin marrë më përpara. Shqipëria, si para dhe pas Çlirimit, ka qenë dhe është vendi më i varfër në Evropë. Përse duhet ta mbani Stalinin? Ai ka qenë personi që i ka bërë thirrje Jugosllavisë për ta aneksuar Shqipërinë. Titua ka qenë maskara dhe njihet në botë, por Stalini ka dashur të aneksohet Shqipëria. Unë për këtë kam lexuar në arkivat e Suedisë..” shkruhej ndër të tjera në dokumentin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të ish-RPSSH’së./ Parrotlla









































