Ansambli “Tirana”, me koncertin “N’Konak” program nga të gjitha trevat

0
23

Koncerti “N’Konak” nga ansambli folklorik “Tirana” u mirëprit nga publiku për dy net, që u shfaq te amfiteatri i Tiranës. Teatri Metropol shkruan se “xhevahiri i Tiranës”, i cili çeli festivalin “Adriatik” erdhi me një atmosferë fantastike. “Me këngë, valle dhe motivet dhe traditat më të mira të trashëgimisë kulturore të të gjitha trevave Shqiptare nga jugu në veri”, shkruan teatri, që ka publikuar dhe një video në faqen e tij. “N’Konak” koncerti i ansamblit “Tirana” erdhi si pjesë e festivalit “Adriatik”, mbrëmjen e së hënës dhe të martës, 6 dhe 7 shtator. Nën koreografinë e Sedmir Memisë. Ansambli folklorik “Tirana” vjen me këtë koncert pas prezantimit të Shqipërisë në “International Folk Festival Tirana”, ku dhe u vlerësua me çmimin “FIDAF Albania”. Ky ansambël garoi mes 10 ansambleve vallesh ndër më të suksesshmet në botë, që përfaqësojnë 10 shtete të ndryshme si Meksika, Kameruni, Polonia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Greqia, Shqipëria dhe Mali i Zi. Ansambli folklorik “Tirana” është themeluar në vitin 1978. Ai vjen nga një traditë e gjatë e ansamblit popullor dhe është i përbërë nga një grupim artistësh që interpretojnë drejtpërsëdrejti, të cilët mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare, këngët dhe vallet tradicionale të Tiranës dhe Shqipërisë së mesme. Ansambli “Tirana” është i vetmi entitet gjithëpërfshirës i këtij lloji në rajon dhe një aset i rëndësishëm kulturor për kryeqytetin. Ansambli “Tirana” është një laborator ku ndërthuren se bashku brezi i vjetër i artistëve me të rinjtë. Shfaqjet e ansamblit përfshijnë lloje të ndryshme të kostumeve nga krahina të ndryshme të vendit. Edhe pse fokusi i tyre është Shqipëria e Mesme, repertori kryesor i ansamblit folklorik “Tirana” është i pasur dhe përfshin të gjithë traditat muzikore të mbarë Shqipërisë. Më datë 19 shtator ansambli do të zhvillojë një tjetër koncert në sheshin e Kombinatit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj