Agjenti i FBI në BKH, Spartak Ngjela: SHBA e vendosur për të goditur të korruptuarit, ish-ministrat e PS më të rrezikuarit

0
48

Teksa amerikanët po shtojnë presionet dhe angazhimet e tyre sa i takon luftës antikorrupsion në Shqipëri, avokat Spartak Ngjelën shprehet i bindur se ky është një paralajmërim i fortë për të korruptuarit. Pothuajse çdo ditë, përveç se mesazheve të forta, ambasada amerikane në Shqipëri bën dhe lëvizje konkrete që shërbejnë kundër korrupsionit në vendin tonë. Pesë ditë më parë ambasadorja Yuri Kim prezantoi ish-agjentin e FBI, i cili tashmë do të jetë këshilltar i BKH. Por për këtë çështje gazeta “SOT” ka kontaktuar me avokat Spartak Ngjelën, i cili tha se kjo lëvizje e fundit thekson vendosmërinë e SHBA për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. “Ardhja e këtyre agjentëve tregon që, lufta e SHBA kundër korrupsionit në Shqipëri është një punë mjaft serioze, pra ata e kanë marrë shumë seriozisht dhe nuk ka më kthim pas. Kjo tregon që, agjentët amerikanë duke ndihmuar BKH do fillojnë të hapin dosjet e bujshme, ato dosje që janë më të rrezikshme dhe personat që kanë përfshirje më të lartë korruptive dhe kriminale në vend”, u shpreh Ngjela. Avokati deklaroi se SHBA-të kanë sjellë dhe agjentë të tjerë në vendin tonë, të cilët do të asistojnë institucionet tona, që këto të fundit të godasin të korruptuarit dhe inkriminuarit në pushtet. “Unë e kam shprehur edhe më parë që BKH do të drejtohet nga FBI. Edhe këshilltari që prezantoi ambasada amerikane nuk është i vetmi agjent që ka ardhur, më parë kanë ardhur edhe të tjerë dhe ky është ndër të fundit. Lufta ndaj korrupsionit dhe ndaj krimit të organizuar, por sidomos lufta ndaj korrupsionit është mjaft e vështirë dhe institucionet tona nuk janë akoma gati për të vepruar të vetëm, prandaj sigurisht nevojitej kjo ndihmë e SHBA, që tani do të vërë në lëvizje të gjitha forcat antikorrupsion”, tha ai.

Më të rrezikuarit

Por në kushtet kur Amerika ka vijuar të sjellë agjentë të saj në Shqipëri pa bërë pushim, sipas avokat Ngjelës, kjo tregon se goditjet ndaj të korruptuarve nuk do të vonojnë më. Madje, Ngjela tha se ka shumë shanse që goditjet e zyrtarëve të lartë të fillojnë në muajin e ardhshëm. “Fakti që ata po veprojnë dhe në gusht, sepse ja vazhdojnë të vijnë agjentë edhe gjatë gushtit kur e gjithë bota është me pushime, pra derisa erdhën në kohë pushimesh tregon se Shtetet e Bashkuar të Amerikës e kanë me urgjencë goditjen penale. Prandaj presim të shohim veprime konkrete që nga mesi shtatorit e tutje”, tha ai. Ndërkohë, i pyetur se cilët janë më të rrezikuarit për të qenë shënjestra e parë e drejtësisë, Ngjela tha se të gjithë politikanët, qoftë nga mazhoranca apo opozita. Por, sipas tij logjikisht më shumë shanse të parët do të vihen në shënjestër ata që janë akoma në pushtet. Duke përmendur rastet e kryebashkiakëve të arrestuar, Ngjela tha se nga shtatori do fillojnë arrestime edhe nga radhët e ministrave. “Goditja ndaj korrupsionit nuk do të bëjë dallim, hetimet do të fillojnë, si nga të majtët ashtu edhe nga të djathtët. Pastaj gjithçka është çështje teknike, por mendoj që si rregull duhet të fillojnë majtas, pra duhet të fillojnë goditjet së pari nga të pushtetshmit edhe kanë filluar të jemi realistë. Nga e majta kanë filluar të hapen dosjet deri më tani, deri më tani ata tre katër janë kryetarë bashkiakë, ama janë majtas edhe në vjeshtë duhet që të vazhdojnë më së shumti nga ky krahë, duke kaluar në deputetë, ministra e me radhë”, tha Ngjela.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj