Adriatik Llalla nën mëshirën e mbrojtjes me avokatë shteti, 9 shtatori vulos fatin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm

0
169

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shtyrë sërish seancën për ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla. Ditën e djeshme, teksa pritej që të jepej vendimi nëse ish-kryeprokurori Adriatik Llalla do të shpallej i pafajshëm apo do të shkonte në burg, seanca në GJKKO është shtyrë sërish. Seanca e radhës do të mbahet më 9 shtator, ndërsa shkak për shtyrjen u bë mungesa e vetë Llallës dhe avokatit të tij, ku ky i fundit me arsyetimin se ishte i sëmurë, ndërsa vetë ish-Kryeprokurori nuk ka dhënë asnjë arsye. Madje, avokatit i Llallës, Sokol Hazizaj mungoi edhe në seancën e kaluar të 16 korrikut, ndërsa për këtë ai u gjobit me 20 mijë lekë për shkak se mungoi pa arsye, duke zvarritur kështu procesin.

GJKKO i cakton avokat nga shteti për të shmangur zvarritjet

Por për të mos patur më zvarritje të seancës, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i caktoi avokat mbrojtës kryesisht dhe në seancën e 9 shtatorit, Llalla do të mbrohet nga Gentiana Qëndro. Kjo lëvizje e GJKKO në njëfarë mënyre ka rrëzuar edhe strategjinë e Adriatik Llallës për të zvarritur procesin gjyqësor ndaj tij. Kështu që, me caktimin e një avokati nga shteti, me shumë gjasa në shtator do të vuloset vendimi për ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla. Megjithatë, përveç avokatit mbrojtës, më herët edhe trupa gjykuese për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla ka ndryshuar, pasi kanë dhënë dorëheqjen nga gjykimi i çështjes, gjyqtarët Saida Dollani dhe Dhimitër Lara. Shkak për tërheqjen e tyre është bërë fakti se ata kanë marrë pjesë në vendimin për sekuestron e pasurive të Llallës. Dy anëtarët e dorëhequr të trupës gjykuese u zëvendësuan nga Miliana Muça dhe Enton Dhimitri. Ndërkohë, kujtojmë që Adriatik Llalla u bë zyrtari më i lartë shqiptar i dënuar ndonjëherë nga një gjykatë në vend. Pas kërkesës së Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit mori një vendim historik, në një seancë ku nuk munguan edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Ish-Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Adriatik Llalla, u dënua me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga postet publike. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi pretencën e SPAK duke mbyllur kështu në shkallë të parë këtë çështje. Një hetim i nisur në mars të vitit 2018 përfundoi kështu pas 3 vitesh. Llallës i janë sekuestruar 4 sipërfaqe toke dhe një shtëpi në Durrës për llogari të shtetit. Sipas gjykatës Llalla ka blerë prona me çmim të ulët, i ka rivlerësuar nga 4 deri në 12 herë me çmime më të larta pasi nuk kishin origjinë të ligjshme për krijimin e këtyre pasurive. Sidoqoftë, mbetët të shihet në shtator se si do të shkojë odiseja e gjyqit “Llalla”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here