Piktorët bëhen bashkë në Pogradec, veprat e reja në pikturë për promovimin dhe traditën

0
26

Pogradeci dhe zonat rreth tij në tablo pikture. Pesë artistë të njohur janë bërë bashkë këtë sezon vere për të promovuar bukuritë e Pogradecit dhe traditën e tij. Piktori Vangjo Vasili nga Pogradeci, Gjergji Marko nga Tirana, Agron Polovina nga Berati, Emjona Stasi nga Durrësi dhe Buron Kaceli nga Tiranë janë bërë bashkë në këtë qytet, me pikturat e tyre. Pesë artistët punët e tyre që po i bëjnë gjatë kësaj kohe kanë vendosur ti prezantojnë në një sallon arti, që është hapur në shëtitoren “Dëshmorët e Pojskës”. Qytetarë dhe vizitorë të ndryshëm mund të gjejnë në këtë sallon arti veprat e pesë artistëve, që synojnë promovimin e qytetit dhe traditës. “Mjeshtër i Madh” piktori Buron Kaceli thotë se kushdo mund të vijë pranë tyre, qytetarë të Pogradecit dhe vizitorë të tjerë për të parë nga afër punimet në pikturë. “Këto dy muaj ne kemi marrë me qera një ambiente në shëtitoren kryesore “Dëshmorët e Pojskës” për të bërë një performancë artistike. Kemi vënë pikturat këtu për publikun, janë piktura nga Pogradeci dhe zona rreth tij, pikturojmë dhe jashtë portrete. Unë sapo fillova një vajzë në pikturë me kostumin e Rrajcës. Mendoj se po bëjmë një aktivitet kulturor shumë të vlefshëm, që është dhe një periudhë turistike dhe vijnë  qytetarë dhe vizitorë të huaj. Kushdo mund të vijë, shikon dhe interesohet për pikturat tona”, thotë piktori Kaceli. Këto ditë vere në Pogradec pesë artistët e njohur ofrojnë për publikun vepra të ndryshme. Por piktori Buron Kaceli thotë se nuk mungojnë dhe peisazhet nga Lini, Tushemishti, etj. “Kemi peisazhe, liqeni i bukur, Driloni, etj, kemi dhe portrete. Kemi planifikuar që të bëjmë dhe ndonjë personazh të traditës së Pogradecit, pra të kemi një promovim artistik këtë periudhë vere”, tregon piktori.

Aktiviteti me rëndësi në jetën artistike

Pesë artistët kanë hapur një sallon arti, dhe gjithçka me kontributin tyre. Piktori Buron Kaceli “Mjeshtër i Madh” shprehet se nëse për nisma të tilla do të kishte dhe ndihmë nga institucionet kjo do të ndihmonte artistët. “Do të ishte shumë mirë sikur dhe të kishim në ndihmë nga organizmat shtetërore, por megjithatë ne nuk na lënë pasioni për artin, dhe nuk mund të rrimë pa bërë aktivitete. Qëllimi është promovimi i Pogradecit dhe pikturat janë të reja”, shprehet ai në një reagim të tij. Piktori Buron Kaceli thotë se Pogradeci është një vend shumë i bukur, madje disa prej artistëve kanë blerë dhe shtëpi, duke qenë më pranë liqenit. Piktori Kaceli tregon se në këtë qytet janë zhvilluar disa koloni artistike. “Ne shumë herë vijmë këtu dhe kemi zhvilluar disa koloni artistike gjatë viteve. Është një vend shumë i bukur piktorik dhe na tërheq si piktorë.  Këto që bëjnë piktorët kanë shumë rëndësi dhe në jetë artistike. Ne këtu jemi bërë një grupim artistik, por kemi dhe miqësi me njëri- tjetrin dhe ia kalojmë dhe bukur, por dhe pikturojë. Kjo punë na frymëzon po bëjmë vepra të bukura”, shprehet Kaceli. Pesë artistët me sallonin e artit do të jenë në korrik dhe gusht, por këtë nismë ata mendojnë që ta shtrijnë dhe në qytete të tjera të vendit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj