Kërkesa për uljen e numrit të gjykatave/ Dhoma e Avokatisë kritika ndaj KLGJ: Drafti i pastudiuar dhe i njëanshëm

0
271

Dhoma e Avokatisë ka reaguar dje ashpër sa i takon propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për të shkurtuar nga 34 gjykata në 15 në gjithë vendin. Ka qenë kryetari i Dhomës të Avokatisë të Shqipërisë, Maksim Haxhia, i cili përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, kritikon KLGJ-në, ndërsa shprehet se drafti i saj, sipas tij, është i pastudiuar dhe i njëanshëm dhe se duhet të bëhet pjesë e diskutimeve me të gjithë aktorët. Po ashtu, avokat Haxhia ngriti alarmin, teksa theksoi se ulja e numrit të gjykatave do të sjellë edhe kosto financiare për qytetarët. “Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë e njohur nëpërmjet mediave lidhur me draft hartën e gjykatave të nivelit të parë dhe atyre të apelit, mbart shqetësimin shumëdimensional lidhur me këtë draft harte. Draft i cili është në injorim të plotë të mosthithjes së opinionit të grupeve të interesit ku në vend parësor është Dhoma e Avokatisë në të dy nivelet, në atë kombëtar dhe lokal. Njohja indirekt me këtë draft hartë është gjithashtu një proces, i cili nuk i është nënshtruar një diskutimi tërësor dhe në detaje të të gjithë problematikave që dalin në pah lidhur me miratimin dhe vënien në zbatim të këtij projekti. Ju bëjmë thirrje dhe kërkojmë që ky draft hartë të bëhet objekt i diskutimeve të detajuara me pjesëmarrjen e gjithë aktorëve të drejtësisë pa përjashtuar edhe shoqërinë civile për shkak të aksesit në gjykata të publikut si dhe kostove financiare të rënduara që passjell ky draft për publikun”, thuhet në reagim. Më tej, kreu i Dhomës së Avokatisë u bëri thirrje KLGJ, KLP dhe ILD që të marrin me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të madhe hedhjen e këtij hapi me shumë pasoja për të gjithë, siç e quan ai. Madje, duke e konsideruar praktikë të pastudiuar, Dhoma e Avokatisë i kërkoi KLGJ që të heqë dorë ose në të kundërt paralajmëroi për qëndrim të përshkallëzuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here