Teksa na ndajnë edhe pak ditë nga gara e 13 qershorit, Partia Demokratike vendosi që të përjashtojë nga votimi të gjithët anëtarët që nuk votuan për koalicionin PD-AN më 25 prill. Kreu i Komisionin Zgjedhor, Jemin Gjana në një deklaratë bëri të qartë përcaktimin se kush do të konsiderohet votë e vlefshme dhe kush jo. Ai u shpreh se ata të cilët nuk e kanë emrin në listë, por kanë dokumentin e anëtarësisë kanë të drejtë të votojnë, por me disa kushte dhe përjashtime. Sipas tij, kushtet do të jenë që do të paraqiten në qendra me dokumentin e anëtarësisë dhe me kartën e identitetit e më pas Komisioni do t’i regjistrojë me anë të formularëve të posaçëm. “Janë përcaktuar kush konsiderohen vota të vlefshme dhe të pavlefshme si edhe është miratuar udhëzimi për votimin e anëtarëve të PD, të cilët nuk e kanë emrin në lista, por disponojnë dokument anëtarëve. Nuk do u mohohet e drejta, por do ketë disa kushte dhe disa përjashtime. Kushtet do të jenë që do të paraqiten pranë qendrave me dokumentin e anëtarësisë dhe me kartën e identitetit. Komisioni ka për detyrë që të regjistrojë në një formular të posaçëm emrin atësinë dhe mbiemrin, nr e identifikimin, nr të telefonit dhe të marrë firmën. Përjashtohen ata anëtarë që në fushatën e fundit zgjedhore kanë qenë anëtarë, komisionerë, vëzhgues apo aktivistë të partive të tjera jashtë koalicionit të PD me aleatët”, tha Gjana.
Basha i prerë ndaj betejës për masakrën zgjedhore
Ndërkohë kreu i PD, Lulzim Basha ditën e djeshme zhvilloi një takim me demokratët në degën 4 dhe 5 në Tiranë ku bëri të qartë qëndrimet e tij lidhur me kritikët dhe zgjedhjet e 25 prillit. Basha u shpreh se mendjet e turbullta dhe të nxituara nuk mund t’i bien me shkelm sakrificës së demokratëve. Ai tha se nga këto zgjedhje demokratët duhet të dalin patjetër të bashkuar në mënyrë që kryeministri Edi Rama të mos i përçajë. Sipas tij, 25 prilli nuk mund të jetë edhe masakër zgjedhore edhe fitore e Ramës apo humbja e PD. “Mirëpres çdo kritikë, por kam vendosur që t’iu qëndroj mesazheve të mia për dy gjëra themelore. Masakrën zgjedhore si evidencë e rënies së demokracisë dhe përballjen me të vetmin armik që është Edi Rama dhe regjimi i tij i korruptuar. Në këto kushte, na shtrin dorën për bashkëpunim të cilën e kam refuzuar në mënyrë finale, të prerë që nuk mund të ketë bashkëpunim. Së dyti nxitimi dhe nguti i ndonjë mendje të turbulluar nuk mund të bëjë arsye për t’i rënë me shqelm sakrificës së demokratëve. Ndaj i kam ftuar në Këshillin Kombëtar që pavarësisht mendimeve të ndryshme apo diferenca, për një gjë të jemi të bashkuar, dhe mos t’i shërbejmë Edi Ramës që ta përdorë për të krijuar një tjetër përçarje në gjirin tonë. 25 prilli ose është masakër zgjedhore ose është fitore e Ramës dhe humbje e PD. Të dyja bashkë nuk mund të jenë”, tha ai.