Krimet e luftës, SHBA, Franca e Britania “gozhdojnë” Serbinë, kërkohet ekstradimi i dy ish-deputetëve

0
200

Serbia është venë në qendër të kritikave nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Britanisë së Madhe. Këto shtete i kanë bërë thirrje shtetit serb që të bashkëpunojë me pasardhësin e Tribunalit të Hagës. Në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, presidenti dhe kryeprokurori i Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetjeve të KB për Gjykatat Penale, Carmel Agius dhe Serge Brammertz, paraqitën një raport, ndërkohë i dërguari i SHBA-së në Kombet e Bashkuara i ka bërë thirrje Serbisë që të arrestojë e më tej të realizojë ekstradimin e dy ish-deputetëve të Partisë Radikale në Hagë, sa më parë të ishte e mundur. I dërguari i Shteteve të Bashkuara ka deklaruar se e vërteta është që vendi i tij është tejet i zhgënjyer nga shteti serb, i cili nuk ka realizuar arrestimin e ekstradimin e Petar Jojiç dhe Vjerica Radeta, të akuzuar për mosrespektim të gjykatës për frikësimin e dëshmitarëve.  “Serbia ka detyrime të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale, përfshirë detyrimet që ajo ka në rrugën e pranimit në BE. Kjo është arsyeja pse ajo është e detyruar të bashkëpunojë me Mekanizmin në Hagë. Mos bashkëpunimi me Mekanizmin pengon zbatimin e së drejtës ndërkombëtare”, është shprehur ai. Diplomati amerikan ka sqaruar se një hap i tillë nga Serbia duhet që të ndërmerret në mënyrë që dëshmitarët të mund të dëshmojnë pa frikë nga krimet më të rënda. I njëjti ka kritikuar më tej shtetin e udhëhequr nga kryeministri Aleksandar Vuçiç për vendimin e marrë nga qershori i vitit të shkuar për t’i dhënë nënshtetësi një personi të akuzuar për krime lufte në Sarajevë, duke deklaruar se ekipi “në të vërtetë e mbron” atë nga drejtësia.

Qëndrimi francez

Sakaq, përfaqësuesja e Francës në OKB i bëri thirrje gjithashtu Serbisë të bashkëpunojë plotësisht me Mekanizmin. Ajo gjithashtu deklaroi se Parisi kundërshton glorifikimin e kriminelëve të luftës të dënuar para një gjykate ndërkombëtare. “Deklaratat e disa zyrtarëve të vendeve të ish-Jugosllavisë janë të papranueshme dhe ne i bëjmë thirrje që të përmbahen prej tyre në të ardhmen”, tha përfaqësuesja e Francës. Diplomatja franceze vijoi se vendimi përfundimtar kundër Ratko Mlladiç, për konfirmimin e dënimit me burg të përjetshëm për gjenocid krime luftë dhe krime kundër njerëzimit në Bosnjë, përfaqëson një hap të rëndësishëm për drejtësinë dhe pajtimin në Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në OKB tha se ekziston një detyrim i qartë i të gjitha vendeve anëtare të kësaj organizate për të bashkëpunuar me Mekanizmin në Hagë, dhe vuri në dukje se Serbia refuzoi të arrestojë dhe ekstradojë Jojiç dhe Radeta për herë të tretë. “Ne e inkurajojmë Serbinë të përmbushë urdhrin e Mekanizmit”, tha diplomati britanik, teksa shtoi se glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit është i papranueshëm, pasi ajo çon përtej pajtimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here