Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të mbajë premtimet dhe të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këtë deklaratë Rama e ka bërë në një intervistë për gazetën gjermane ‘BILD’.
Kreu i qeverisë së Shqipërisë akuzon krerët e shteteve të Bashkimit Evropian për bllokimin e pranimit të vendit dhe Maqedonisë së Veriut.
“BE ka ‘thyer premtime’ dhe po çon një përçarje në popujt e Ballkanit me ‘cinizëm politik’. Si në historinë “Në pritje të Godosë”, thotë Rama në një artikull ekskluziv për BILD. “Vetëm flitet, por asgjë nuk ndodh!”.
Rama ka nënvizuar edhe një herë se ishte vetë Këshilli i BE-së ajo që e ka përcaktuar vetë qartë në vitin 2018 që 2 vendet kanë plotësuar kushtet.
“Ishte një ambicie e dashur për shumë kohë nga kombet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe kështu t’u mundësojnë qytetarëve tanë të përfitojnë nga një treg i lirë dhe të marrin pjesë në këtë demokraci të madhe. Më lejoni të bëj të qartë diçka: si Kryeministër i Shqipërisë, unë e njoh plotësisht që ne nuk jemi gati të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian sot, as Maqedonia e Veriut ose pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor. Ka shumë kërkesa që ne duhet të plotësojmë në mënyrë që të bëhemi anëtar. Por dy kombet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë përmbushur të gjitha dhe më shumë kushtet e nevojshme për të filluar me të vërtetë procesin e negociatave me Brukselin. Një fillim i tillë i negociatave u vendos gjithashtu nga vetë Këshilli i BE në 2018”, ka thënë Rama.