Disa ditë më parë Elbasani u trondit nga ekzekutimi i Everest Çakës, i cili në vra në makinën e tij në prani të bashkëshortes.
Si rezultat i hetimeve, Prokuroria dhe policia kanë bërë të mundur të identifikojnë një prej personave, i cili me mendohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 41-vjeçarit.
Tashmë ky person po mbahet në vëzhgim nga policia dhe pritet që forcat policore të ndërhyjnë për të bërë të mundur arrestimin e tij.
Në vrasjen e Cakës, mbrëmjen e 11 majit dyshohet se morën pjesë dy persona, ku njëri prej tyre është kapur nga një kamerë pranë rrugës nacionale që lidh Durrësin me zonën e Kavajës, aty ku atë mbrëmje u gjet e djegur edhe një makinë. Nga pamjet në kamera, personi shihet se është duke pritur një taksi, pasi i ka vënë zjarri makinës së përdorur në antenat për të humbur gjurmët.
Shoferi i taksisë që mori personin e lartpërmendur, është marrë në pyetje nga policia e Elbasanit, dhe ka pohuar se ka marrë në autostradë personin e dyshuar nga policia për vrasjen e Everest Cakës.
41 vjeçari Everest Caka u ekzekutua në një atentat me armë zjarri mbrëmjen e 11 majit, teksa po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshorten, e cila u plagos në dorë. Viktima sapo ishte kthyer nga Spanja, ndërsa policia shoqëroi disa persona, si autorë të dyshuar të ngjarjes së rëndë.






































