Ndeshja Sopoti-Mirdita është ndërprerë pasi një futbollist i ekipit mirditor ka goditur gjyqtarin kryesor të ndeshjes K.Qëndraj duke e gjakosur.
Më pas, agresori është futur në dhomat e zhveshjes dhe nga dhomat e tualetit ka mundur të arratiset. Në vendin e ngjarjes, në stadiumin “Nexhip Trungu” të qytetit të Cërrikut, ku dhe po luhej ndeshja, kanë mbërritur efektivë të shumtë policie.
Por, kur efektivët kanë hyrë brenda në dhomat e zhveshjes futbollisti ia kishte ‘mbathur’ dhe nuk kanë mundur ta arrestojnë. Uniformat blu janë vënë në kërkim të lojtarit, ndërkohë që po merren në pyetje lojtarët dhe stafi i Mirditës. Gjyqtari ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Përsa i përket rezultatit të ndeshjes, librazhdiotët e mbyllën pjesën e parë në avantazh 2-1 me gola të Mziut dhe Sejdinit.








































