Kush proteston apo organizon mitingje nuk do të ketë më detyrimin të marrë leje nga institucionet ligjzbatuese por thjesht duhet t’i njoftojë ato.
Vendimi është marrë sot nga Gjykata Kushtetuesja e cila ka pranuar kërkesën e Gjykatës Apelit Shkodër dhe ka shfuqizuar nenin 262 të Kodit Penal për protestat.
Sipas Report TV, Gjykata ka kërkuar që neni përkatës të korrigjohet brenda 6 muajsh. Tubimet e paligjshme quheshin kundravajtje penale dhe dënohej me gjobë deri në 2 vite burg.
Gjykata Apelit Shkodër i kërkoi Gjykatës Kushtetuese në janar të vitit të kaluar të shpallë antikushtetuese ndryshimet e kodit penal që konsiderojnë vepër penale protestat që organizohen pa leje. Ndryshimi i bërë në vitin 2017 Nenit 262 në kodin penal kërkon leje për organizim të protestave në të kundërtën dënohesh me gjobë ose me burg deri në një vit.
“Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.”
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Në përfundim të shqyrtimit Gjykata Kushtetuese
VENDOSI:
- Pranimin e kërkesës.
- Shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal.
- Detyrimin e Kuvendit të plotësojë normën ligjore nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.
- Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.









































