Basha nga Belshi: Do anulojmë ligjin për Arsimin e Lartë

0
182

Në vizitën e tij në qytetin e Belshit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinj të këtij qyteti. Problematika si papunësia pas përfundimit të studimeve, emigrimi masiv, dështimi i mësimit online dhe ligji për arsimin e lartë, ishin shqetësimet që ngritën të rinjtë.

Kreu i opozitës tha se ligji për arsimin e lartë do të anulohet për t’i lënë hapësirë ligjit të ri i cili po punohet dhe që do të mundësojë autonominë e universiteteve, do të lehtësoj kërkimin shkencor. Pjesë e planit është edhe mbulimi i tarifave 100% nga shteti për të gjithë studentët me të ardhura nën 640 mijë lekë dhe stazhe të paguara nga shteti për të garantuar lidhjen mes tregut dhe studentëve.

“Ky ligj do të anulohet dhe puna ka nisur për një ligj të ri. Ligji i ri do ti japi universiteteve autonomi në vendimmarrje. Ligji i ri do ta bëj shumë më të thjeshtë për pedagogët që të angazhohen në kërkim shkencor dhe që të angazhojnë studentët po kështu në mënyrë aktive në atë që sapo e shpjegova më parë është trajnimi dual. Pra gjysma të jetë teori gjysma praktikë. Ligji i ri do të bëjë të mundur po kështu që asnjë i ri apo e re të mos mbetet pa studiuar për faktin e dhimbshëm se familja s’paguan dot tarifat. Si do ta arrijmë këtë? Sepse në buxhetin e ardhshëm të qeverisë tonë ne do të kemi mjaftueshëm para që për çdo fëmijë, fëmijë jo se jeni të ri po për çdo 18 vjeçarë, për çdo maturant që kërkon të shkojë të studiojë dhe që vjen nga një familje që nuk e përballon dot tarifën sepse ka të ardhura nën minimumin jetik, të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj. Tarifa do të merret përsipër 100% nga shteti dhe e dini se sa prek kjo, prek 90% të studentëve shqiptarë. Dhe një nga gjërat kryesore që ne do të bëjmë është që mos të lëmë boshllëk nga momenti i studimeve në momentin e gjetjes së punës. Por të sigurojmë një periudhë stazhi të paguar nga shteti me një pagesë simbolike, por jo të vogël për një shtet si Shqipëria. 300 mijë lekë të vjetra në muaj, një stazh 1 vjeçar në sektorin privat, apo në sektorin publik, apo në profesionin e lirë, në mënyrë që ju të filloni të ambientoheni me atë specialitet, apo me atë profesion që keni marrë apo për të cilin jeni trajnuar. Të filloni ta mësoni në praktikë, të krijoni lidhjet me tregun, të njihni nga afër se si funksionojnë gjërat dhe në këtë mënyrë të keni garancitë maksimale që pas përfundimit të stazhit të keni një vend pune.” – tha Basha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here