“Zoti i masakrës”, cilësuar si një nga komeditë më të mira në 10 vitet e fundit, në Pranverën e Frankofonisë

0
337

“Zoti i masakrës” cilësuar si komedia më e mirë në dhjetë vitet e fundit vjen këtë mbrëmje, në kuadër të aktiviteteve që janë për Pranverën e Frankofonisë. Komedia me regji nga Kiço Londo shfaqet këtë mbrëmje në faqen e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Teatri shprehet se është një vepër e autores Yasmin Reza mbi hipokrizinë borgjeze. “Ora 19:00 livestreaming në faqen tonë do të mund të ndiqni “Zoti i masakrës” cilësuar si një nga komeditë më të mira të dhjetë viteve të fundit. Një vepër e shkëlqyer e Yasmin Reza mbi temën e saj të parapëlqyer: hipokrizinë borgjeze. Me aktorët Erand Sojli, Alert Celoaliaj, Ermira Gjata, Ermira Hysaj”, bën me dije teatri. Vepra është e përkthyer nga Nasi Lera, me regji të Kiço Londos, skenografia është nga Beqo Nanaj dhe kostumet nga Sofi Kara. Në një reagim të tij kur vepra përgatitej të ishte premierë, regjisori i shfaqjes Kiço Londo u shpreh se është një vepër shumë njerëzore. “Jam joshur nga mënyra se si zhvillohen ngjarjet dhe evulojnë ato brenda një kohe shumë të shkurtër. Jam i joshur nga fakti se vepra është shumë njerëzore”, pohoi Londo për komedinë e autores Yasmin Reza. Komedia “Zoti i Masakrës” solli në skenë edhe aktorin e njohur Erand Sojli. Sipas tij, kjo është një vepër e cila do të meritonte çdo lloj sakrifice. “Kjo jo vetëm në rastin tim, por të çdo aktori që dashuron këtë profesion. Kam ardhur me shumë dëshirë për t’ju rikthyer këtij roli, i cili është një diamant në CV time si aktor. Yasmin Reza është një autore, e cila i jep hapësirën e nevojshme, regjisorit dhe aktorit”, pohon aktori Sojli. Pranvera e Frankofonisë, një muaj dedikuar kulturës franceze, nisi disa ditë më parë me aktivitetin “Letërsia franceze dhe frankofone në shqip”. Pranvera e Frankofonisë merr një vëmendje të veçantë gjatë muajit mars në vendi tonë dhe këtë mbrëmje vjen online komedia e autores Yasmin Reza. Pranvera e Frankofonisë, është festa e të gjitha vendeve frankofone të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ku Shqipëria është anëtare me të drejta të barabarta. Në këtë kuadër, ambasadat franceze në të gjithë botën dhe vendet frankofone organizojnë me partnerët e vendeve që janë anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë aktivitete për kulturën dhe gjuhën franceze.

Komedia dhe ngjarjet

Fituese e tre çmimeve “Tony” me autore Yasmina Reza, kjo komedi ka qenë premierë në sallën “Moliere” të Teatrit Kombëtar Eksperimental më parë në regjinë e Kiço Londos, ku spikati interpretimi i aktorëve të njohur të teatrit. Një prej temave më të preferuara të autores Reza është pikërisht hipokrizia borgjeze, të cilët ajo e ka shpalosur hapur në “Zoti i masakrës”. Dy çifte, në dukje të qytetëruar takohen për të rregulluar pasojat e një episodi të dhunshëm, i cili plasi ndërmjet dy fëmijëve të tyre. Gjatë vizitës, gjërat fillojnë me diplomaci, por gradualisht, mes tyre rritet një tension. Në komedi grindja e dy fëmijëve është pikërisht kjo zënkë që i çon në konflikt jo vetëm prindërit e të ashtuquajturit fëmijë që ushtron dhunë, por edhe familjen e të dhunuarit. Djali i Alain dhe Anet i theu dy dhëmbë djalit të Mishel dhe Veronik. Prindërit e djalit dhunues vizitojnë prindërit e viktimës për të kërkuar falje dhe për ta ndrequr gabimin, të paktën nga ana ekonomike. Me ndihmën e alkoolit, tensioni rritet duke kapërcyer egërsisht mbi binarët e Eduart Albi. Konflikti i parë sjell një tjetër me çiftin, e më pas një tjetër me vetë partnerët, çka sipas aktorëve sjell përmes “Zotit të Masakrës”, tre shfaqje të ndryshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here