Punimet pranë Mozaikut të Tiranës/ Muzafer Korkuti: Sondazhet arkeologjike të detyrueshme, zona ka vlera të shumta historike

0
115

Punimet për rehabilitimin e hapësirës publike pranë Mozaikut të Tiranës, të vetmit sit arkeologjik në kryeqytet kanë sjellë reagimet e specialistëve të ndryshëm. Sipas tyre, çdo punim në atë zonë duhet ti paraprihet sondazheve nga specialistët e fushës, që janë arkeologët. Për akademikun Muzafer Korkuti nëse kjo nuk është bërë në zbatimin e këtij projekti atëherë është gabim. “Çdo punim aty do paraprihet nga sondazhet arkeologjike të specialistëve. Ajo zonë aty ku mendohet ekskavatori të punojë do venë arkeologët përpara, ky është kusht i domosdoshëm. Këtë punë duhet ta bëjnë arkeologët, ndryshe është një gabim. E detyrueshme që aty të jenë bërë sondazhet arkeologjike dhe më pas çfarë të nxjerrë toka do të vendoset nga specialistët. E domosdoshme për Tiranën ky kujdes”, thotë arkeologu Muzafer Korkuti. Ndërsa punimet që po kryhen në atë zonë kanë sjellë reagime të ndryshme nga specialistët që kundërshtojnë mënyrën se si është ndërhyrë, për prof. dr. Muzafer Korkutin Mozaiku i Tiranës kërkon një kujdes maksimal nga institucionet përgjegjëse për vlerat e tij në fushën e trashëgimisë kulturore. Prof. dr. Korkuti thotë se Mozaiku i Tiranës është monumenti më i rëndësishëm, që ka Tirana. “Nuk ka rëndësi se i kujt është projekti, le të jetë projekt i Bashkisë së Tiranës, por duhet të ketë firmën e Institutit të Arkeologjisë. Pa firmën nuk mundet të bëhet. Aq më tepër që ai mozaik ka shumë vlerë për Tiranën, se flet për lashtësinë. Është objekti më i hershëm dhe atje kujdesi duhet të jetë maksimal për çdo gjë. Ata mund të venë me ekskavator të bëjnë gërmime, të prishin, pastaj çfarë do të bëjmë ne? Nuk duhet ndërhyrë pa mbikëqyrjen e arkeologëve në atë zonë, sepse është monumenti më i rëndësishëm i antikitetit të vonë e mesjetës, që ka Tirana. Në rast se kjo nuk është bërë është shkel rregulli”, thotë akademiku Korkuti.

Trashëgimia të mbrohet

Në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, akademiku Muzafer Korkuti thotë se çdo pjesë e trashëgimisë duhet vazhduar që të mbrohet. “Siç u diskutua për punën e fasadës së materniteti te bulevardi, arkitektura është pjesë e trashëgimisë së qytetit dhe do të marrë leje kush do ti bëjë ato ndërhyrje, aq më tepër që në këtë mozaik është provuar që është në mbrojtje dhe të vazhdojmë ta mbrojmë. Patjetër ta ketë parë Instituti i Arkeologjisë vendin. Dhe në rastin ekstrem duhet që palët, arkeologu apo punëtori të jenë aty në të njëjtën kohë, që ti hapin rrugë njëri -tjetrit, të shikojnë se çfarë ka dhe nuk mund të bëhet ndryshe. Edhe shembja te ndërtesa të bulevardi është gabim. Këto janë të dy shenja të Tiranës dhe të dyja janë të gabuara qoftë dhe fasada te materniteti qoftë dhe kjo te mozaiku”, thotë akademiku. Në murin rrethues të të vetmit sit arkeologjik të kryeqytetit në Mozaikun e Tiranës disa ditë më parë nisën punimet për të rehabilituar zonën. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë, Olsi Plasa në një reagim të tij në media u shpreh se punimet janë ndërprerë dhe se janë ende në pritje të vendimit të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë. “Për momentin i kemi ndërprerë punimet deri sa te merret një vendim në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Kemi ndërprerë për të bërë sondazhet dhe pastaj do vazhdojmë me projektin. Mund të ishin bërë më herët, por edhe mund të mos ishin bërë”, shprehet Plasa. Punimet referuar të dhënave parashikohen të zgjasin 5 muaj. Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj