Pas Nikolla Gruevskit, arratiset edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ në Maqedoninë e Veriut

0
254

Sasho Mijallkov, ish drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim ka ndjekur rrugën e ish-kryeministrit të tij Nikolla Gruevski për t’i shpëtuar burgut. Ai është arratisur duke i dhënë goditje sistemit penal. Rasti “Target-Kështjella”, për të cilin akuzohet Mijallkov së bashku me njëmbëdhjetë persona të tjerë, kryesisht ish-zyrtarë të policisë, ka të bëjë me përgjimin në masë të rreth 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, një skandal i cili u publikua në fillim të 2015-ës nga Zoran Zaev, atëherë drejtues i opozitës Ndërkohë Gjykata Themelore Penale në Shkup njoftoi se Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dorëzoi të dielën në Gjykatë propozimin për përcaktimin e masës së arrestimit ndaj Mijallkov, i akuzuar në lëndën KOK nr. 47/17 nga prokuroria, i njohur si rasti “Shënjestra-Fortesa”, për shkak të dyshimit për arratisje të mundshme. Më tej gjykata ka bërë me dije se për ish kreun e shërbimit informativ Mijallkov është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar. “Ministria kompetente e Brendshme dorëzoi në Këshillin Penal në Gjykatën Themelore Penale Shkup, këtë mëngjes kërkesë për pëlqim nga gjykata për lëshimin e urdhër arrestit ndërkombëtar për të akuzuarin, për të cilin dje u caktua arrest shtëpiak me mbikëqyrje prej 24-orëve, gjegjësisht privimi nga liria. Menjëherë pas marrjes së kërkesës, Këshilli Penal mori një vendim për pëlqimin për lëshimin e urdhër arrestimit ndërkombëtar nga Ministria e Brendshme dhe ai iu paraqit kërkuesit”, thotë Gjykata. Ndërkohë Mijallkov, u arratis menjëherë pasi gjykata në Shkup kërkoi masën e arrestit shtëpiak para shpalljes së vendimit gjyqësor. Policia maqedonase nuk ka mundur ta gjejë atë në hotelin luksoz “Marriot” në qendër të Shkupit, që është në pronësi të tij, e as në shtëpinë e tij. Autoritetet e rendit kanë nisur kërkimin e tij brenda vendit dhe duke qenë se nuk kanë pasur asnjë rezultat, është marrë vendimi për lëshimin e urdhër arrest ndërkombëtar. “Ministria e Brendshme dorëzoi në Këshillin Penal në Gjykatën Themelore Penale Shkup, kërkesë për lëshimin e urdhër arrestit ndërkombëtar për të akuzuarin, për të cilin dje u caktua arrest shtëpiak me mbikëqyrje prej 24-orëve, privimi nga liria. Menjëherë pas marrjes së kërkesës, Këshilli Penal mori një vendim për pëlqimin për lëshimin e urdhër arrestimit ndërkombëtar nga Ministria e Brendshme”, thonë nga Gjykata.

Reagime nga aktorët politikë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ka reaguar pas arratisjes së ish-kreut të DSK-së, Sasho Mijallkov. Pendarovski i fton të gjithë institucionet që të marrin masat e nevojshme për të zbatuar vendimin e gjykatës për ndalimin e tij. “Zhvillime të tilla janë të papranueshme për një vend që pret të fillojë negociatat për anëtarësimin në BE dhe që po punon shumë për të reformuar sistemin gjyqësor dhe për të ndërtuar besimin në shtetin e së drejtës. Kjo diskrediton përpjekjet dhe shpresat për të zhbërë krimin dhe korrupsionin e lartë. Qytetarët kërkojnë përgjegjësi si penale ashtu edhe morale”, tha Pendarovski. Sakaq, Kryeministri Zoran Zaev ka kërkuar përgjegjësi në rast se i arratisuri nuk gjendet. “Si të gjithë njerëzit tanë, unë jam i zhgënjyer që ai nuk është arrestuar ende. Kërkoj nga institucionet që të veprojnë menjëherë dhe ta gjejnë. Pres informacione të hollësishme nga ekzekutivi, përkatësisht nga Ministria e Brendshme. Jam duke pritur për detaje në lidhje me rastin nga gjykata, prokuroria dhe Ministria e Brendshme. Populli ynë pret që të mbahet përgjegjësi nëse vendimi i gjykatës nuk zbatohet, për mua për një nga rastet më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë”, tha Zaev. Ndërsa opozita, saktësisht Aleksandar Nikollovski, nënkryetari i OBRM-PDUKM e ka konsideruar arratisjen si një ngjarje të orkestruar nga shteti. “Koalicioni kriminal që kemi njoftuar më 22 tetor 2018, Zoran Zaev, Vice Zaev dhe Sasho Mijalkov, arriti kulmin e tij fundjavën e kaluar. Ne njoftuam publikisht për atë koalicion kriminal, i cili 15 vjet më parë ka punuar për shkatërrimin e Maqedonisë. Shpërblimi për këtë erdhi nga Zoran Zaev në një mënyrë që i mundësoi atij të shpëtojë nga drejtësia. Tani kemi një të arratisur nga drejtësia. Është e qartë se kjo është një marrëveshje, në stilin e Pablo Eskobar,” tha Nikollovski.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here