Manjani akuza të forta Metës: Presidenti nuk duhet të përfshihet në fushatë, s’ka punë me partitë politike, të larguarit nga LSI nuk janë llum

0
250

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka hedhur akuza ndaj presidentit Ilir Meta. Në një intervistë televizive Manjani u shpreh se ky i fundit nuk e ka në kompetenca të përfshihet në fushatë elektorale. Ai u shpreh se gara e presidentit Ilir Meta me kryeministrin Edi Rama është sipas tij e pakuptimtë. “Presidenti i Republikës nuk ka punë fare. Fushatat elektorale për presidentin janë ditë pushimi, në kuptimin kushtetues dhe ligjor të fjalës. Presidenti i Republikës nuk ka asnjë punë në jetën e brendshme të partisë politike, qoftë në partinë ku ai ka qenë kryetar. Unë nuk di pse ka hyrë në fushatë me Ramën. Rama konkurron për të qëndruar sërish kryeministër. Meta për çfarë konkurron”, tha ai. Ndër të tjera, Manjani u shpreh se presidenti është duke përdorur postin e tij për të marrë vota dhe për të reklamuar LSI. Sipas tij, presidenti Meta zgjodhi vetë të largohej nga politika aktive për të shërbyer në një detyrë të lartë shtetërore, siç është detyra e kryetarit të shtetit. Ai deklaroi se figura e Ilir Metës i duhet politikës shqiptare, por sipas tij si politikan dhe jo si president. “Të përdorësh podiumin e Presidencës për të reklamuar LSI-në apo për të etiketuar persona të caktuar që merren me politikë aktive nuk është statura kushtetuese e presidentit. Futja e një presidenti në fushatë elektorale, qoftë në emër të popullit apo me vizita të sajuara nuk e nderon presidentin. Opozitës shqiptare dhe klimës politike në Shqipëri i mungon Ilir Meta. Pozicioni i presidentit për Metën është një xhaketë shumë e ngushtë. Ai di të bëjë shumë më mirë punën e politikanit”, tha ai. Sakaq, Manjani komentoi edhe cilësimet e presidentit, Ilir Meta për të larguarit nga Lëvizja Socialiste për Integrim duke i cilësuar si llum. Manjani u shpreh se kjo gjuhë e përdorur nga presidenti nuk është aspak etike. Ndër të tjera, ai u shpreh se figurat politike nga LSI janë dëbuar. “E kam shumë të vështirë ta besoj që ky është leksiku politik i Ilir Metës. Aq më tepër me fjalë të tilla. Të larguarit nga LSI-ja nuk janë larguar nga partia, janë përzënë, në një mënyrë apo tjetër iu është treguar dera. LSI-ja nuk duhet të ketë koment për zgjidhjet e kujtdo që ka shërbyer në LSI dhe nuk është më pjesë e saj. Kështu e do rregulli i mirënjohjes, sepse secili nga ata ka kontribuar sa ka ditur, si ka ditur. Etiketimi “llum” është i tepërt”, tha Manjani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here