“The Van”, filmi me metrazh të shkurtër i regjisorit shqiptar, në listën e 10 kandidaturave për çmimin “Oscar”

0
305

Filmi artistik “The Van” i regjisorit Erenik Beqiri është futur në listën e ngushtë të nominimeve të çmimeve “Oscars”, në kategorinë “Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër”. Në filmin e regjisorit Erenik Beqiri janë në role aktorë të njohur nga Kosova, Shqipëria, por me role edhe aktorë të huaj.  Filmi “The Van” flet për një djalë rreth të 20-ve, i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që të fitojë lekët e duhura sa më shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një furgoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe furgoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes. Dyert hapen dhe nga aty mund të dalë vetëm një fitues. Kineasti Ilir Butka shprehet në një status të tij se ky nominim ndër tjera është dhe një sukses i ri i kinematografisë shqiptare. Kineasti Butka shkruan se më parë filmi “The Van” ishte në konkurrimin zyrtar në festivalin e Kanës, ndërsa me këtë nominim dhuron një sukses të ri. ““The Van” i regjisorit Erenik Beqiri është zyrtarisht i nominuar në kategorinë e filmit të shkurtër të çmimeve “Oscar”. Pas pjesëmarrjes në konkurrimin zyrtar të festivalit të Cannes, me nominimin për “Oscar” ky regjisor i dhuron një sukses të ri kinematografisë shqiptare. Urime Erenik Beqiri! Urime aktorëve, stafit dhe produksionit!”, shkruan mes të tjerave kineasti Ilir Butka. Ndërsa aktori Lulzim Zeqja e quan një sukses të filmit. “Bravo Erenik! Suksese të tilla paç e tu shtofshin! “The Van” në “Oscars tek lista e ngushtë!”, shprehet ai. Filmi (The Van) është një prodhim shqiptaro-francez dhe në role janë aktorët Arben Bajraktaraj, Afrim Muçaj, aktori francez Phenix Brossard, Lulzim Zeqja, Romir Zalla, Ermir Keta, Amantia Peza, Olivier Berlemont. “The Van” konkurron me filma të tjerë si: “Bitu”, “Da Yie”, “Feeling Through”, “The Human Voice”, “The Kicksled Choir”, “The Letter Room”, “The Present”, “Two Distant Strangers” dhe “White Eye”. Ceremonia e 93 e ndarjes së çmimeve “Oscar” është parashikuar të mbahet më 25 prill në “Dolby Theatre”, Los Angeles, ndërsa lista e plotë e të nominuarve pritet të bëhet publike më 15 mars.

Prodhimet kinematografike në festivale

Lajmi për filmin e regjisorit Erenik Beqiri u mirëprit shumë nga komuniteti artistik shqiptar. Por dhe për ministren e Kulturës Elva Margariti nominimi i filmit është një lajm i shkëlqyer. Në një status të saj ministrja e Kulturës shprehet se filmi “The Van” është kualifikuar në listën e shkurtër prej dhjetë kandidaturash për çmimin “Oscar” këtë vit. “The Van” me regji të Erenik Beqirit drejt çmimit “Oscar”! Një lajm i shkëlqyer për kinematografinë shqiptare.  The Academy of Motion Picture Arts and Sciences ka shpallur listën e kandidatëve të edicionit të 93-të të Academy Awards. Pas shumë çmimesh dhe pjesëmarrjesh në festivale ndërkombëtare, filmi me metrazh të shkurtër “The Van” (“Furgoni”) është kualifikuar në listën e shkurtër prej 10 kandidaturash për çmimin “Oscar”, në kategorinë Live Action Short Film. Filmi shqiptar konkurronte me 174 kandidatëve nga e gjithë bota. Suksese Erenik!”, shprehet ministrja Margariti. Xhirimet e filmit “The Van” janë bërë në pjesën më të madhe të tij në Tiranë, ndërsa një pjesë e vogël është realizuar në Portin e Durrësit. Pas suksesit në festivalin e filmit në Kanë, “Furgoni” nga regjisori Erenik Beqirit tani është në listën e shkurtër të “Oscars” për produksionet kinematografike me metrazh të shkurtër. Në punën e tij si kineast Erenik Beriri po ashtu ka marrë vlerësime dhe me filmin “Buon Apetit”, që është shfaqur në disa festivale. Ky muaj po vijon me lajme për kinemanë. Disa ditë më parë filmi “Zgjoi”, nga regjisorja Blerta Basholli, mori tre çmime në “Sundance Film Festival” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Filmi është bashkëproduksion i Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë e Maqedonisë. Së fundi ishte filmi “Në kërkim të Venerës”, me regji nga Norika Sefa që u shpërblye me çmimin special të jurisë (Special Jury Aëard) gjatë ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve të festivalit të Roterdamit. Një film që ka në role aktorë të njohur nga Kosova, por nuk mungojnë edhe nga Shqipëria.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here