Vjen momenti Rei Manajt, dy klube të njohura italiane interesohen për sulmuesin kuqezi

0
240

Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po bëjnë një paraqitje të mirë me skuadrat e tyre europiane, ku vëmendjen kryesore e marrin lojtarët që luajnë në dy kampionatet elitare italiane (Serie A dhe Serie B). Në kampionatin italian në fokus ishin ditët e fundit Hysaj, Strakosha, Berisha, por edhe Memushaj, Veseli, Dermaku e padyshim edhe Gjimshiti me Atalantën e tij. Natyrisht, nuk mbetën jashtë vëmendjes as Ismajli e Kumbulla, njëri i Specias e tjetri i Romës, që u përballën në kupën e Italisë, me kosovarin që kaloi në raundin tjetër. Por nuk mbeten pas as lojtarët që luajnë në ligat e tjera dhe në Spanjë, psh., ka lojtarë që vlejnë të përmenden për peshën që kanë në Kombëtare dhe vëmendja shkon sidomos tek sulmuesi i Barcelonës B, Rei Manaj. Futbollisti i Kombëtares kuqezi ka gjetur rrugën e rrjetës dy herë në katër ndeshjet e fundit me Barcelonën B, megjithatë sërish me paraqitjet nuk ka bindur blaugranët t’i japin besimin për ta bërë pjesë të ekipit të parë. Ndaj, mundësia për të lëvizur në këtë merkato është reale për sulmuesin e kombëtares, emri i të cilit së fundmi është shfaqur në Itali. Portali i “gianlucadimarzio.com” thekson se për lushnjarin ka dy pista. Bëhet fjalë për Krotonen në Serinë A, teksa ky klub ka bërë sondazhe për Manajn duke qenë se aktualisht është në vendin e fundit të klasifikimit dhe kërkon të mbijetojë në elitë. Mirëpo, nuk është vetëm Krotone për Manaj. Interes ka edhe nga ana e Peskarës, aty ku aktivizohet edhe Ledjan Memushaj. Nëse gjithçka mbyllet me sukses për një kalim te Peskara, atëherë ky do të ishte një rikthim për Manaj, i cili është aktivizuar me këtë klub edhe në sezonin 2016-2017, ku shënoi dy gola në 12 ndeshje. Tashmë, mbetet për t’u parë nëse sulmuesi do të preferojë një rikthim në Itali apo do të vazhdojë të luftojë në Barcelonë për të fituar një rol si protagonist.

Ismajli po rritet me Specian, eliminoi Kumbullën nga kupa e Italisë

Mesfushori kuqezi, Ardian Ismajli, me Specian kanë regjistruar një rezultat historik për këtë klub në elitën e futbollit italian. Skuadra e vogël ka fituar me shifrat 4-2 në fushën e Romës, duke eliminuar këtë të fundit nga Kupa e Italisë e duke shkuar në çerekfinale, ku e pret Napoli. Një duel shqiptarësh ai i sotmi, pasi në radhët e Romës luante nga minuta e parë Marash Kumbulla. Ndërsa në anën tjetër të fushës ishte Ismajli mes shtyllave të prapavijës të Specias e cila e nisi furishëm ndeshjen dhe shënoi shpejt dy gola me penalltinë e Galabinov e më pas me golin e Saponara, në një aksion i cili në fakt nisi nga një largim i gabuar i Kumbullës. Edhe Ismajli bëri një gabim, që mund t’i kushtonte shtrenjtë atij dhe skuadrës, pasi shkaktoi penallti nga e cila erdhi goli i 2-1 i shënuar nga Pelegrini. Ky mund të ishte kartoni i dytë i verdhë për lojtarin, por gjyqtari vendosi të mos e nxirrte duke mbajtur në fushë futbollistin shqiptar. Por Roma mori zemër nga goli dhe ia foli që të barazonte shifrat me anë të Mikhtarjan, duke shpërdoruar më pas disa raste të tjera për të dërguar sferën në rrjetë. Por 90 minutat u mbyllën pa gola të tjerë dhe ekipet shkuan në shtesa. Aty ndodhi gjithçka, pasi brenda 30 sekondash Roma e pa veten të mbetej me 9 lojtarë. Fillimisht mbrojtësi Mançini u ndëshkua me të verdhin e dytë e në rifillimin e lojës, portieri Pau Lopez bëri faull të rëndë jashtë zonës, duke bërë që të dy lojtarët të largoheshin para kohe e të linin ekipin në disavantazh numerik në fushë. Kështu, Specia e kishte më të lehtë të kontrollonte manovrën dhe arriti të shënonte me anë të Verde në fillimin e shtesës së dytë. Para fundit, erdhi edhe goli i dytë i Saponara, i cili vulosi një fitore 4-2 që jep shumë moral para sfidës së fundjavës në kampionat, po kundër Romës. Sa u takon dy lojtarëve shqiptarë, mediat sportive italiane i vlerësuan me notë të mirë, por asnjëri nuk ishte përcaktues për fatet e ndeshjes apo në atë që prezantuan ekipet. Në të vërtetë meritat i mori Ismajli pasi kaloi në turin tjetër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here