Perez e Anjeli sfidojnë UEFA-n, takohen për t’i dhënë jetë Superligës Europiane

0
191

Superliga e Europës është një aktivitet që kërkohet me të madhe nga klubet më të fuqishme në botë. Bëhet fjalë për skuadrat më të mëdha të kontinentit europian, të cilat po shohin mundësinë e krijimit të një lige elitare kontinentale, e cila të përfshijë 20 klubet më të mira të Europës. ideja nuk është e tanishme, ka ekzistuar dhe më parë, por UEFA dhe FIFA kanë qenë kundër saj, pasi ajo eklipson aktivitetet zyrtare të UEFA-s, sikurse janë Champions dhe Europa League. Madje për këtë temë folën kohë më parë presidenti i FIFA-s Xhani Infantino dhe ai i UEFA-s Aleksandër Ceferin, të cilët e hodhën poshtë si ide dhe nuk pranuan ta miratojnë. Por influenca e klubeve të mëdha europiane është më e fortë edhe sesa vetë UEFA. Prandaj kjo ide mund të gjejë mbështetje të gjerë. Ndërkohë, janë rikthyer takimet ndërmjet presidentëve të klubeve kryesore dhe ideatorëve të ligës. Kështu, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, e vizitoi qendrën stërvitore të Juventusit të martën dhe u takua me presidentin e klubit torinez, Andrea Anjeli, për tri orë. Takimi i gjatë mes dy prej njerëzve më të fuqishëm në futbollin evropian ndodhi vetëm një ditë para finales së Superkupës së Italisë mes Juventusit dhe Napolit. Sipas mediave italiane, temë diskutimi mes tyre ka qenë futbolli botëror, veçanërisht krijimi i një Superlige Evropiane. Anjeli është president i Shoqatës së Klubeve Evropiane dhe Perez e ka përkrahur haptazi krijimin e ligës në fjalë, pak a shumë për inat të presidentit të La Ligës Javier Tebas. Madridi është duke përjetuar çaste të vështira në ligë, pasi ngel katër pikë mbrapa liderit dhe rivalit Atletiko Madrid, i cili mund ta rris në 11 pikë epërsinë nëse i fiton dy ndeshjet e mbetura. Edhe Juventusi po vuan njëjtë, pasi renditen në vendin e pestë me 10 pikë mbrapa liderit Milan. Pas lamtumirës në verën e vitit 2018, sërish ballë për ballë me njëri-tjetrin, në një takim plot buzëqeshje. Kjo mund të jetë sinteza e takimit të djeshëm midis Kristiano Ronaldos dhe presidentit të Real Madridit, Florentino Perez. Dje, numri një i “Los Blancos” ishte në Torino për një samit me Andrea Anjelin, në të cilin ai foli mbi të gjitha për perspektivat e ardhshme për botën e futbollit europian. Por, në të njëjtën kohë, ishte një mundësi për Perez që të shihte përsëri Kristiano Ronaldon e për të shkëmbyer disa fjalë të përzemërta mes tyre. Hera e fundit që të dy u takuan ishte në muajin mars të vitit të kaluar, përsëri në “Santiago Bernabeu”, në “El Clasico”. Midis të dyve kishte momente tensioni, duke pasur parasysh lamtumirën, në verën e vitit 2018, të CR7. Të martën të dy u kthyen për të biseduar në një mënyrë të përzemërt, por në horizont nuk ka asnjë mundësi të kthehet në kryeqytetin spanjoll për Kristianon, që ka pranuar sfidën e Serisë A pikërisht për të pasur më shumë stimujt profesionalë. Me pak fjalë, ata u takuan, biseduan dhe shijuan një bisedë midis miqve të vjetër dhe të mirë, asgjë më shumë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here