Teatri Kombëtar aktivitet artistik on line me “Nostalgjinë e teatrit”, “The show must go on” dhe shfaqje që janë vënë më parë

0
398

Shfaqje teatrore, që janë shfaqur disa vite më parë në skenën e Teatrit Kombëtar apo dhe mbrëmje artistike me krijimtarinë e autorëve shqiptarë dhe të huaj janë pjesë e aktivitetit artistik on line të Teatrit Kombëtar gjatë muajit janar. “Nostalgjia e teatrit” vjen gjithashtu përmes materialeve me fotografi nga arkivi, duke risjellë në vëmendje disa prej veprave më të mira që janë realizuar në skenën e tij nga regjisorë të ndryshëm. Teatri Kombëtar mbrëmë me “Nostalgjinë e teatrit” rikujtoi shfaqjen teatrore “Amadeus”. Teatri shkruan se në skenën e tij kjo vepër erdhi me një kastë të mrekullueshëm aktorësh në role. “Rikujtojmë së bashku shfaqjen “Amadeus”. Një kryevepër e Peter Schaffer me regji të Altin Bashës. “Amadeus” solli në skenë një kast të mrkeullueshëm aktorësh të përbërë nga fatos Sela, marin Orhanasi, Eni Jani, Romir Zalla, Gazmend Paja, Gjergj Mena, Ahmet Pasha, Vangjel Toçe, mërkur Bozgo, Suela Bako, Markela Dede dhe harilla Vjero. As.rejgisor Andon Koço dhe skenografia e kostumografia Iliriana Basha”, shprehet Teatri Kombëtar, për këtë vepër që u dha premierë në 2011. Programi artistik “The show must go on” vjen më datë 22 dhe 29 janar me interpretimet më të mira të trupës së Teatrit Kombëtar, me poezi e proza të autorëve të njohur shqiptarë dhe të huaj. Më parë më 15 janar pjesë e programit artistik ishte shfaqja on line dedikuar veprave të dy kolosëve të letërsisë shqiptare, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Më datë 23 dhe 30 janar Teatri Kombëtar në vijim të programit të tij artistik shkruan se në ora 18:00 do të jenë shfaqje nga premierat më të bukura të teatrit, një zgjedhje e atyre që janë vënë në skenën teatrore prej viti 2014 e deri më sot, ku mund të ndiqen livestream në faqen Facebook të TK. “Nostalgjia e teatrit” do të jetë dhe në mbrëmjet 24 janar dhe në 31 janar në orën 18:00, që do të përmbajë materiale të shfaqjeve më të dashura ndër vite dhe do të publikohen në Facebook. “Fotografi, skica, fletëpalosje të shfaqjeve tona më të njohura e më të dashura ndër vite, marrë nga arkiva historike e Teatrit Kombëtar”, bën me dije institucioni, për programin që do të jetë deri në fund të këtij muaji.

Veprat teatrore

Më parë në mbrëmjen e datës 16 janar, ishte shfaqja e plotë “Udhëtim i gjatë drejt natës” livestream në faqen e Facebook të Teatrit Kombëtar. Vepra teatrore “Udhëtim i gjatë drejt natës”, shkruar nga Eugene O’Neill është vënë në skenë më parë nga regjisori Spiro Duni. Vepra teatrore ka në role aktorë të njohur të teatrit. Interpretojnë aktorët Yllka Mujo, Artan Imami, Luzim Zeqja, Flaura Kureta, Genti Deçka dhe Gert Ferra. “Udhëtimi i gjatë drejt natës” sjell në vëmendje historinë e një familje, por kjo drejt rrënimit të saj. Një kryetar familjeje, koprac i cili nuk paguan as paratë për spitalin, pasi djali ishte i sëmurë. Duke parë kopracinë e kryetarit të familjes, gruaja, djali i madh dhe ai i vogël, shkojnë drejt rrënimit. Gjithçka në veprën, e cila i vendos ngjarjet në Amerikë, tregohet historia e një familjeje, e cila nga mëngjesi deri në mbrëmje përjeton dramën e saj. Kjo shfaqje ishte premiera e vitit 2014, një dramë nga nobelisti amerikan dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave Eugene O’Neill. Pas kësaj vepre teatrore gjatë kësaj jave që nisi Teatri Kombëtar do të prezantojë të tjera shfaqje që janë vënë më parë në skenën e tij dhe janë zgjedhje e aktivitetit artistik on line, që po prezantohet gjatë kësaj kohe për shkak të pandemisë. Ashtu si dhe të tjerë institucione të artit dhe kulturës në vend, që kanë ndërprerë aktivitetin artistik në skena prej pandemisë dhe po prezantojnë program on line edhe Teatri Kombëtar po vijon me një përzgjedhje të veprave të tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here