Milani s’heq dorë nga veteranët, zyrtarizon afrimin e Manxhukiç

0
201

Milani është kthyer në një prej skuadrave më të qëndrueshme në Itali dhe në Europë, duke bërë një sezon spektakolar deri tani, duke mbajtur me meritë vendin e parë në renditjen e kampionatit italian pas 18 xhirosh të luajtura deri më tani. Ndërkohë, ka zhvillime edhe në merkato. Kështu, mësohet se Mario Mandzukiç ka arritur marrëveshje me klubin italian, AC Milan dhe nesër pritet t’i kryejë testet mjekësore dhe të nënshkruajë kontratën. Bashkë me kroatin, pritet të vijë edhe talenti i Çelsit, Fikajo Tomori në formë huazimi deri në fund të sezonit. Ndërsa, tashmë janë zbuluar edhe detaje të marrëveshjes mes Milanit dhe Mandzukiçit. Mario Mandzukiç do të bashkohet me AC Milan me një kontratë gjashtë-mujore me vlerë 1.8 milion €, sipas gazetarit, Tankredi Palmeri. Nëse Milani kualifikohet për në Ligën e Kampionëve, kontrata e një viti do të aktivizohet me vlerë 3.5 milionë euro. Ndërkohë, Stefano Pioli duket se po mësohet me telashet që i shkaktojnë mungesat para çdo ndeshjeje dhe këtë e pranoi edhe në konferencën e sotme për shtyp, në prag të transfertës ndaj Kaliarit nesër në mbrëmje. Këtë herë listës së gjatë të mungesave te kuqezinjtë, i janë shtuar edhe ato të Theo Hernandez dhe Hakan Calhanoglu, të cilët rezultuan pozitivë ndaj koronavirusit, megjithatë Pioli shpreh besim se skuadra do t’ia dalë të bëjë mirë. “Është e vërtetë që na mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm të skuadrës, por forca jonë është grupi dhe jam i bindur se kushdo që të zbresë në fushë, do të bëjë shumë mirë. Kemi punuar me durim gjatë gjithë kësaj kohe dhe duam të vazhdojmë të bëjmë mirë”, u shpreh Pioli. Tekniku kuqezi ka vlerësuar maksimalisht rikthimin e sulmuesit kryesor Zlatan Ibrahimoviç dhe ka folur me superlativa për blerjen më të re të kuqezinjve, Soualihu Meite, por refuzoi të komentojë zërat për afrimin e kroatit Mario Mandzukiç. “Jam shumë i kënaqur për rikthimin e Ibrës, pasi dihen vlerat e tij në fushën e lojës, si në aspektin teknik, ashtu edhe atë karakterial. Meite do të shtojë edhe më shumë konkurrencën në një repart ku të gjithë kanë bërë mirë gjatë kësaj kohe. Është futbollist që e kam ndjekur dhe ka cilësi shumë të mira, ndaj më pëlqen fakti që e ka nisur me pozitivitet këtë eksperiencë. Për Mandzukiç nuk dua të flas, pasi nuk është lojtar i Milanit. Me merkaton merren drejtuesit dhe unë kam besim të plotë te vendimet e tyre”, tha trajneri i Milanit. Ndryshe nga lajmet e mira, për Milanin ka dhe shqetësime. Kështu, Hakan Calhanoglu dhe Theo Hernandez ka në rezultuar të prekur nga koronavirusi dhe janë vendosur menjëherë në izolim. Dyshimet për futbollistët ishin që të premten, pasi kishin shfaqur simptoma dhe ishin vendosur në izolim, duke mos u stërvitur me skuadrën, ndërsa tamponët e kryer ditën e djeshme kanë konfirmuar dyshimet. Hernandez dhe Calhanoglu u janë shtuar ballkanasve Ante Rebiç dhe Rade Kruniç, të cilët janë të prekur prej ditësh, ndërsa në Kaliari nuk do të udhëtojnë as Benaker, Gabia dhe Saelemaekers, të cilët vijojnë fazën e rikuperimit. Ndaj sardëve Pioli pritet të aktivizojë nga minuta e parë veteranin Zlatan Ibrahimoviç, i cili është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe do të shoqërohet nga Brahim Diaz.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here