“Moti i Madh” në kulturën arbëreshe propozohet për në UNESCO

0
37

Fondacioni universitar “Francesco Solano” pranë Universitetit të Kalabrisë ka dorëzuar së fundmi propozimin për kandidaturën e kulturës jomateriale të arbëreshëve të Italisë “Moti i Madh”, si një nga pasuritë universale që mbrohen nga UNESCO. Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët bën me dije se propozimin, të cilin e njofton profesor Ciro Giovanni Palmieri, i cili drejton Laboratorin e Albanologjisë në Universitetin e Kalabrisë, i është dorëzuar komisionit kombëtar italian të UNESCO-s. Profesori Francesco Altimari, president i fondacionit shprehet se 40 letrat e aderimit, përbëjnë jo vetëm një ndihmesë të çmuar që i shtohet punës përgatitore tekniko-shkencore për hartimin e projektit, por edhe një nxitje të mëtejshme për gjithë praktikën procedurale. “Fondacioni ynë ka bashkërenduar, mes vështirësive të shkaktuara nga pandemia aktuale, një veprimtari të gjatë kërkimore në terren me synimin për të identifikuar, përshkruar dhe rindërtuar rrjetin e traditave rituale që përfaqëson visarin e përbashkët kulturor të Arbërisë”, shprehet mes të tjerave Altimari. Këto rite në “Motin e Madh” përmbledhin gjuhën dhe letërsinë e pasur gojore të arbëreshëve, traditën e “Valles” në festën e Pashkëve, ritet e vdekjes në traditën fetare orientale, traditat ceremoniale të riteve të dasmës, këngë arbëreshe laike e fetare, produkte karakteristike të zejtarisë arbëreshe, kostumet e pasura tipike të veshjes së grave, prodhime të artit të endjes, shprehje të kulturës e riteve tipike arbëreshe, etj. Materiali i plotë i prezantimit të kësaj kandidature u përgatit nga specialistë e studiues italianë e shqiptarë të albanologjisë, antropologjisë, etnomuzikologjisë, historisë së kulturave e juristë të fushës në Universitetet e Milanos, Venecias, Salentos, Palermos e Kalabrisë. Arbëreshët nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla zakonet e tyre të pasura, si gjuhën, veshjet dhe ritet e doket që kishin në Mëmëdhe. Ata jetojnë në Itali në rajonet e Abrucos, Kampaniës, Apulias, veçanërisht në Bazilikat, Moliz, Kalabri dhe Siçili.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj