Gjimshiti dhe Strakosha, kuqezinjtë më të spikatur gjatë vitit 2020

0
44

Sokol Cikalleshi mund të konsiderohet si futbollisti më efikas në përfaqësuese gjatë vitit 2020. Kjo pasi ai shënoi gola me peshë me fanellën kuqezi në Ligën e Kombeve, duke i dhënë shtysë skuadrës të arrinte vendin e parë në grupin e katërt të Divizionit C të kësaj lige. Jo vetëm kaq, por Cikalleshi, me golat që shënoi në Ligën e Kombeve, shkoi në 10 gola në total të shënuar me ngjyrat e përfaqësueses dhe në këtë mënyrë ai barazon rekordin e Kushtës dhe të ndonjë lojtari tjetër, duke qenë në gjurmët e atyre që kanë shënuar më shumë si Skela, Bushi apo dhe Bogdani që mban vendin e parë me 18 gola. Me Kombëtaren spikatën edhe disa lojtarë të tjerë këtë edicion si portieri Berisha, mesfushorët Abrashi e Memushaj, por edhe Gjasula e Uzuni, kurse nga më të rinjtë erdhën si prurje interesante Kumbulla, Broja dhe Seferi.

Kuqezinjtë që spikatën me klubet

Në rang klubesh, kuqezinjtë që spikatën më shumë gjatë vitit 2020 ishin portierët Thomas Strakosha si dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti. Gardiani kuqezi arriti nivele të larta me Lacion, duke tentuar madje dhe trofe në futbollin italian dhe Lacio ishte skuadër që u futi frikën rivalëve në pjesën e dytë të edicionit të shkuar, por në fund të këtij viti situata nuk është e mirë as për Lacion e as për gardianin kuqezi. kështu, portieri i Shqipërisë, Thomas Strakosha, e ka humbur vendin e titullarit te Lacio dhe kjo ka ndikuar që atij të mos i vazhdohet kontrata, që i skadon në verën e vitit 2022. Kështu ka raportuar të hënën “Corriere dello Sport”. Strakosha e ka humbur vendin në portë te Lacio dhe mënyra e vetme e tij të kthehet në qendër të vëmendjes është të punoj për ta bindur trajnerin Simone Inzagi t’ia jap edhe një rast tjetër. Aktualisht portier i parë i skuadrës nga Roma është Pepe Reina. Strakosha këtë edicion në të gjitha garat luajti vetëm gjashtë ndeshje. Strakosha 25-vjeçar humbi vendin pas izolimit shkaku i infektimit me koronavirusit. Nga momenti që u rikthye, ai gjeti në formë të mirë sportive rivalin veteran Reja, që ia ka “rrëmbyer” pozitën e titullarit, por kjo mbetet për t’u parë deri kur. Ndryshe paraqitet situata me Berat Gjimshitin, i cili është shndërruar në një lider tek skuadra e Atalantës. Madje mbrojtësi kuqezi arriti deri në çerekfinale të Ligës së Kampioneve me këtë skuadër, duke qenë nga më të mirët. Edhe në kampionatin italian, Serie A, Gjimshiti luajti në ndeshjet më të mëdha, duke shënuar edhe gola, si dhe duke u paraqitur si futbollist me staturë të lartë. Ai u bëri ballë, duke i frenuar me sukses lojtarë si Ronaldo, Martinez, Imobile e shumë të tjerë. Atalanta e vlerëson si një nga lojtarët më të mirë dhe ditët e fundit, shtypi sportiv italian e ka çmuar Gjimshitin si një nga më të mirët në Serinë A në rolin e tij, kurse “Eurosport” e quan si një nga lojtarët më efikasë në Champions League, duke i vendosur notë të lartë.

Dermaku kalon dëmtimin, gati për Leçen

Një tjetër kuqezi që pati ecuri të mirë gjatë vitit 2020, duke spikatur në disa ndeshje, ishte Kastriot Dermaku, i cili lëvizi nga Parma në Serie A, duke kaluar tek Leçe. Por prej disa ditësh ishte i dëmtuar. Por mësohet se Dermaku më në fund është gati të kthehet në fushë dhe të vazhdojë me Leçen punën që la në mes për shkak të një dëmtimi. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka munguar në muajin e fundit për shkak të shqetësimeve fizike, por me sa duket ka arritur të kalojë pjesën më të vështirë të dëmtimit. Gjatë këtyre ditëve, ai është kthyer normalisht në stërvitje me klubin e tij dhe pritet që në sfidat e para të Serisë B që do të luajë Leçe, të jetë përsëri në fushën e lojës. Me praninë e Dermakut, Leçe kishte treguar siguri më të madhe në prapavijë dhe mungesa e tij ishte ndjerë gjatë këtij muaji të fundit. Leçe aktualisht është në vendin e 7 në renditjen e Serisë B, por shpreson që në javët në vijim të ngushtojë diferencën prej 7 pikësh që ka me Salernitanën e vendit të pare. Objektivi i saj është rikthimi i shpejtë në Serinë A, nga ku ra në edicionin e kaluar, ndaj bëri investime të rëndësishme, mes të cilëve edhe afrimin e Dermakut.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj