Solistët e TOB, në një koncert që tingëllon gëzueshëm dhe me pjesë muzikore të njohura

0
270

Artistët e Teatrit të Operë dhe Baletit gjatë këtij sezoni janë shfaqur me koncerte të ndryshme. Një pjesë janë zhvilluar dhe në ballkonin e TOB, duke respektuar masat që janë vënë këtë kohë ndaj pandemisë. Por dhe në ditët e fundit të 2020 artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit kanë vijuar punën e tyre me përgatitjen me koncertet. Një koncert për atmosferën festive të festave është po me solistët e Teatrit të Operës dhe Baletit, ku pjesë e tij janë Eva Golemi, Armando Likaj, Dorina Selimaj, Ivana Hoxha, Denis Skura, si dhe pianistet Ingrid Pulizo, Etrita Ibrahimi dhe Herta Cane. Ky koncert është menduar sipas sopranos së njohur Eva Golemi që të zhvillohet me artistët në hollin e TOB, ku dhe do të xhirohet nga RTSH. Sopranoja Eva Golemi në këtë koncert të datës 28 dhjetor është në një duet me tenorin Denis Skura. Artistët vijnë me duetin Lippem Schweigen nga opereta “Vejusha Gazmore” nga Franz Lehar dhe Maine Lippen arie po nga opereta. Në ditët e fundit të këtij viti sopranoja Eva Golemi shpreh urimin, që sa më shpejt ti rikthen normalitetit. “Urimi im për këtë vit të ri, paqe, shëndet, lumturi dhe sa më shpejt ti kthehemi normalitetit nga gjithë kjo pandemi që pushtoi botën. Sa më shpejt ti kthehemi teatrit me publikun tonë të dashur, që na do e duartroket”, thotë sopranoja Golemi. Pjesë e koncertit baritoni i njohur Armando Likaj thotë se çdo performancë, që kanë zhvilluar artistët këtë kohë është frymëzuar nga forca e vullnetit. “Si artist i këtij teatri mendoj që çdo performancë, që kemi realizuar përgjatë këtij viti të zymtë e të pazakontë është frymëzuar nga forca e vullnetit dhe e bashkëpunimit për të përballuar çdo situatë të vështirë sëbashku, përqafuar (edhe pse në distancë) me tingujt e mbrëmjeve muzikore. E ku ka më bukur se të përkëdhelemi sado pak me ndjenja pozitive, pikërisht me art muzikor i cili depërton emocionalisht edhe në shpirtrat e trazuar”, thotë baritoni Likaj. Këtë koncert baritoni Armando Likaj vjen me “What a wonderful world” nga George David Weiss dhe Bob Thiele, si dhe “Strangers in the night”.

Angazhimi i artistëve

Një vit i vështirë prej pandemisë po mbyllet, ndërsa artistët shprehen se janë përpjekur që të jenë pranë publikut me aq sa kanë mundur me aktivitetin, që lejon kjo kohë për tu zhvilluar. Edhe baritoni i njohur Armando Likaj thotë se është angazhuar aq sa ka pasur mundësi këtë kohë. “Jam munduar me aq sa kam pasur mundësi të jem pjesë kontribuese e situatës që na përfshiu rrëmbyeshëm të gjithëve, duke qenë pranë publikut tim, pranë atyre njerëzve që e duan, e vlerësojnë jetën edhe kur është e vështirë”, vijon më tej baritoni Armando Likaj. Sipas baritonit, koncerti që do performojnë më datë 28 dhjetor kësaj radhe do tingëllojë më shumë gëzueshëm dhe argëtues, pasi do këndohen pjesë të njohura, muzikë posaçërisht për atmosfera festive si Krishtlindja dhe ndërrimi i viteve. Edhe baritoni Armando Likaj shpreh urimin që sa më shpejt kjo situatë të kalojë dhe të rikthen në skenën e teatrit. “Më e rëndësishmja është, që mesazhet e këngëve të vijnë ëmbël, gëzueshëm e plot shpresë për jetën e bukur që gjithsecili prej nesh meriton. Ndryshe, personalisht Viti i Ri që po vjen më gjen ndryshe, me buzëqeshjen e dashurisë për dhuratën më të bukur që na bekoi Zoti me vajzën time të sapolindur Dua. Padyshim që zemra më rreh fort nga dëshira e madhe që të kemi sa më shpejt skenën e teatrit tonë të hapur! Një urim të përzemërt kam për të gjithë ne, ky Vit i Ri uroj të na gjejë sa më të përgjegjshëm për jetën tonë me zemrat mbushur me dashuri e respekt për njëri- tjetrin, plot muzikë e pozitivistet për një jetë të lumtur”, thotë Likaj. Në datën 24 dhjetor solistët e TOB sollën koncertin “Krishtlindje të bardha”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here