Banesa monument kulture e piktorit Sali Shijaku, në proces restaurimi

0
549

Shtëpia e piktorit Sali Shijaku është në proces restaurimi. Në banesën monument kulture në Tiranë kanë nisur punimet këto ditë dhjetori. Ministrja e Kulturës Elva Margariti thotë se specialistët e DRTK Tiranë po punojnë në këtë banesë monument kulture. “Ka nisur restaurimi i shtëpisë së piktorit Sali Shijakut, monument kulture e destinacion turistik. Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Tiranës kanë nisur punën për restaurimin e odës së zjarrit, zëvendësimin e trarëve dhe rregullimin e dyshemesë, dritareve e çatisë”, shkruan ministrja e Kulturës në një status të saj në Facebook. Një viti më parë, specialistët e Institutit të Monumenteve dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës së bashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti inspektuan dëmet e tërmetit në shtëpinë e piktorit Sali Shijaku, në Tiranë. Shtëpia e piktorit pësoi disa dëmtime për riparimin e të cilave u hartua projekti dhe po vijohet me ndërhyrje. Kjo banesë e ndodhur në rr. “Vildan Luarasi”, nr. 16, është shembull tipik i banesës tiranase. Ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit XIX paraqet fazën më të zhvilluar të kësaj banese. Ajo ka planimetri katërkëndëshe të rregullt me dy kate. Në fazën e parë ka qenë me çardak e hajat në ballin kryesor. Shtëpia e zjarrit është bërthama e mjediseve përqark saj. Në katin e parë janë ambientet ndihmëse ndërsa në katin e dytë, ambientet e ndenjes dhe anekset e shërbimit, shkallët që ndërlidhin katet janë prej druri. Në fazën e dytë, në fillim të shekullit XX, është bërë një rikonstruksion i mjediseve si dhe mbyllja e çardakut. Këto lloj banesash janë nga llojet më të lashta të cilat nga mënyra e ndërtimit dhe funksionimit nuk hasen në qytete të tjera të Shqipërisë. Banesa rrethohet me mure qerpiçi, ku hyrja bëhet nëpërmjet portave të mëdha dykanatëshe që janë pothuaj gjithmonë mbuluar me çati të thjeshtë. Banesa e Shijakasve është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1973. Dhoma kryesore e saj është shndërruar në një galeri arti, ku janë ekspozuar veprat e piktorit Sali Shijaku. Në vitin 1969 piktori Sali Shijaku mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”. Në 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here