Mimoza Marjanaku: Të jesh artist në këtë vend do të thotë të jetosh me ëndrra më shumë se sa me bukë, investimi në art i mangët

    0
    351

    Viti 2020 po mbyllet me dhimbje, por pa humbur besimin që ditë më të mira do të vijnë. Kështu shprehet aktorja e njohur Mimoza Marjanaku, në ditët e fundit të 2020. Aktore e teatrit dhe me role dhe në kinematografi, Mimoza Marjanku në ditët e fundit të këtij viti flet për vështirësitë me të cilat u përballën edhe artistët. Sipas saj, një vit që kaloi me mallin për provat në teatër. Në intervistën për gazetën “SOT” Mimoza Marjanaku ndalet tek puna që bënë artistët me aktivitetin artistik online gjatë kohës së pandemisë. Ajo thotë se kjo ishte zgjidhja e vetme dhe më e mira e mundshme për të qenë pranë publikut. Mimoza Marjanaku, aktore e njohur e teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit tregon se këtë vit të vështirë në punën e saj pati dhe projekte artistike që u ndërprenë. Duke folur për jetën e saj artistike ndër vite me teatrin, aktorja tregon dhe emocionet me rolin, ku interpretoi në krah të aktorëve Yllka Mujo dhe Guljelm Radoja, në një dramë të titulluar “Të jesh nënë” të autorit Roberto Bracco me regji të Driada Dervishit. Vite me jetën artistike, por aktorja Mimoza Marjanaku thotë se të jesh artist në vendin tonë vlerësimi është minimal. Ajo shprehet se e do këtë profesion, dhe ndoshta dashuria për të e bën që të sakrifikojë shumë. Në këtë intervistë të saj në ditët e fundit të këtij viti, aktorja Mimoza Marjanaku thotë se duhet të shihet me seriozitet investimi që duhet bërë në fushën e kulturës, sepse arti pasuron shpirtin. Viti i ri do dhe pak ditë të vijë, por urimi i aktores Mimoza Marjanku është që bota ti kthehet normalitetit.

    -Jemi në ditët e fundit të 2020. Ky vit për ju si aktore, si po mbyllet?

    Për mua si qytetare e këtij planeti po mbyllet me dhimbje, por pa humbur besimin se ditë më të mira do të vijnë. Si aktore me projekte të parealizuara, me mall shumë për prova në teatër, me shfaqje të pa dhëna.

    – Artistë të ndryshëm janë prezantuar online me materiale. Sa rëndësi pati për komunikimin me publikun këtë vit?

    Absolutisht ka qenë zgjidhja e vetme dhe më e mira e mundshme. Në këtë formë nuk u “divorcuam” me publikun, por vazhduam një marrëdhënie dashurie në kushte pandemie. Teatri i Durrësit ka pasur një jetë të larmishme virtuale, duke e kthyer në traditë çdo fundjavë dhënien e shfaqjeve të repertorit, por dhe produkte të reja artistike të prodhuara në këtë periudhë. Unë këto aktivitete i kam përjetuar si terapi intensive për të mbajtur veten gjallë, në efiçencë dhe të motivuar dhe për këtë falenderoj “mjeken psikologe”, regjisoren Driada Dervishi, që ka mbajtur motorët ndezur në këtë institucion. Të gjithë aktorët kanë qenë të angazhuar në këto kohë të vështira në formën e diktuar. Në fillimin e vështirë të mbylljes së parë u realizua leximi prej të gjithëve i tregimeve të Çehovit, më pas u lexuan dhe u interpretuan letra korrespondenca të njerëzve të mëdhenj, mendimtarë, artistë, shkrimtarë dhe ishte një aktivitet i pëlqyer shumë. Të ngjasonte me një serial televiziv dhe që publikun sqimatar e nostalgjik e tërhoqi shumë. Unë pata fatin, që në një prej “serive” të isha Maria Callas, e cila i shkruante Pier Paolo Pasolinit dhe në fakt në këtë vit është emocioni më i bukur që kam përjetuar. Kjo është magjia, që na mban gjallë. Në 26 nëntor përkujtuam tërmetin e tmerrshëm që bëri dëme të jashtëzakonshme në Durrës dhe ne ishim përsëri aty, duke mos i munguar publikut të qytetit tonë që është shumë i ndjeshëm ndaj kësaj ngjarje të rëndë. Dhe përsëri do jemi live të gjithë, bashkë me Driadën në natën e ndërrimit të viteve për ti dhënë njerëzve një mesazh shprese me vargje të Mjedës.

    – Ju si aktore sa ju pengoi në projektet tuaja artistike, çfarë mbeti pa bërë me rolet?

    Në teatër shfaqja e fundit me publik ka qenë “Revizori” e Çehovit, e cila ishte shumë e suksesshme dhe u mbyll me publik plot dhe nuk mundi të shkonte në festivale, ku ishte e ftuar dhe në qytete të tjera përveçse Tiranës. Gjithashtu në fillim të këtij viti përgatitesha për të shkuar në Amerikë me dramën “Të korrat e gjelbërta” të shkruar dhe vënë në skenë nga aktori dhe regjisori Bruno Shllaku, por që ngeli e pa realizuar për momentin.

     -Çfarë shikon me rëndësi në punën tuaj?

    Çdo profesion është i rëndësishëm. Por të jesh aktore do të thotë të jesh figurë publike dhe shumë e rëndësishme është të jesh profesioniste, por dhe njeri, të paktën ky është këndvështrimi im. Prandaj përpiqem të bëj më të mirën time.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here