Juve humbi thellë me Fiorentinën/ Ronaldo qetëson tifozët: Në fund e fitojmë titullin

0
214

Kristiano Ronaldo nuk ka më rivalitet vetëm me Lionel Mesin për çmimet individuale. Rasti i fundit, kur çmimin “The Best” e mori Robert Levandovski, e konfirmon qartë se dysha Ronaldo-Mesi janë tani në “perëndim” dhe se të tjerë yje po ngjiten në skenë për të rivalizuar e fituar. Për Ronaldon, në fakt, mosha duket thjesht statistikë, pasi ai vijon të paraqitet në nivele të larta, por të ,martën ishte momenti i një disfate që la shije shumë të hidhur, diçka që e vuajtën të gjithë, veçmas tifozët. Për këtë arsye portugezi ka gjetur një mënyrë që t’u vijë në ndihmë për ta përballuar këtë presion, me premtimin se në fund të edicionit Juventusi do ta fitojë sërish titullin e kampionit në Itali. Duhet theksuar se të martën në mbrëmje, Juventusi pësoi një humbje turpëruese ndaj Fiorentinës me shifrat 0-3 në “Allianz Stadium”. Gjatë këtyre viteve të fundit, bardhezinjtë nuk i kanë mësuar tifozët e tyre me paraqitje të tilla kaq të dobëta dhe për këtë arsye Kristiano Ronaldo lideri i kampionëve të Italisë ka vendosur t’u kërkojë falje tifozëve nëpërmjet një postimi në Instagram. Ronaldo u ka premtuar fansave se pavarësisht hapave falsë në fund të sezonit do të jetë Juventusi, skuadra që do të fitojë trofe dhe do të festojë. “Dje, me një paraqitje të dobët dhe rezultat aspak të pranueshëm, mbyllëm ndeshjet e planifikuara për vitin 2020, një vit i veçantë në shumë mënyra. Stadiume boshe, protokolle Covid-19, ndeshje të shtyra, ndalesa të gjata dhe një kalendar shumë i ngjeshur. Por këto nuk janë justifikim për asgjë. Ne e dimë se duhet të japim më shumë nga vetja, në mënyrë që të luajmë më mirë dhe të fitojmë në mënyrë më të qëndrueshme. Ne jemi Juventus! Dhe thjesht nuk mund të pranojmë asgjë më pak se përsosmërinë në fushë! Shpresoj që kjo ndalesë e shkurtër të mund të na ndihmojë të kthehemi më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë, sepse fundi i sezonit është ende larg dhe në fund ne besojmë se edhe një herë, do të festojmë me tifozët tonë. Besoni te ne! Besojini ekipit tonë, aq sa ne ju besojmë ju dhe ne do t’ua shpërblejmë!”, shkruan Ronaldo në postimin e tij në Instagram. Theksojmë se Juventusi pësoi një humbje dramatike, diçka e rëndë për një skuadër që pretendohet se ka yjet në gjirin e vet dhe një prej lojtarëve më të mirë në botë sikurse është Kristiano Ronaldo. Situata duket alarmante dhe në pankinë, pasi trajneri Andrea Pirlo është shprehur se do të kërkojë përforcime cilësore në merkaton e janarit, duke vënë në pikëpyetje disa emra të grupit aktual, diçka që mund të nxisë pakënaqësi në radhët e juventinëve veteranë. Një nga lojtarët e kritikuar ishte Leonardo Bonuçi, i cili edhe kërkoi falje për rezultatin pas ndeshjes, ndërkohë që në shtypin sportiv plasi debati për qëndrimin e gjyqtarëve,që besohet se e “masakruan” Juven” me kartonin e kuq që në pjesën e parë. Gjithsesi, gara është ende e gjatë dhe pavarësisht dominimit të Milanit e Interit, Juve do të ketë shanset e veta në vijim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here