Imuniteti ndaj Covid, epidemiologu Ilir Alimehmeti del me reagimin surprizë: Lajme të mira miqtë e mi

0
265

Ka pasur shumë diskutime për çështjen e imunitetit ndaj koronavirusit dhe pasigurisë se për sa kohë një i infektuar që shërohet do jetë imun ndaj riinfektimit. Pavarësisht rasteve të pakta në botë një studim i fundit ka treguar se të gjthë individët krijojnë qeliza B kujtesë kundër Sars-CoV-2 dhe ato ishin të pranishme deri në fund të studimit, për 242 ditë. Studimi është botuar në Science Immunology,  dhe epidemiologu shqiptar Ilir Alimehmeti thotë se ky është një lajm i mirë. Në fund të shënimit që ka postuar në Facebook, epidemiologu jep një këshillë: 

‘Le të bëhemi më të thjeshtë dhe të përulur, e të kuptojmë e të pranojmë kufijtë tanë njerëzorë.
Gëzuar Krishtlindjet miqtë e mi të krishterë’!

Postimi: 

TË GJITHË INDIVIDËT KRIJOJNË QELIZA B KUJTESË KUNDËR SARS-CoV-2;
QELIZAT B TË KUJTESËS ISHIN TË PRANISHME DERI NË FUND TË STUDIMIT (242 DITË).

“Burimi i palumturisë njerëzore është injoranca jonë mbi Natyrën”
Cit.: Paul Henry Thiry D’Holdbach
Lajme të mira miqtë e mi!
Ne mund ta injorojmë Natyrën, por megjithatë ne jemi pjesë e saj dhe ajo nuk mban mëri!
As nuk harron!
Kështu ndodhi edhe me debatin mbi kohëzgjatjen e imunitetit kundër SARS-CoV-2 te personat që e kalojnë atë.
I gjithë debati u fokusua në mënyrë të mysët vetëm mbi praninë dhe nivelin e antitrupave qarkullues IgM dhe IgG.
I gjithë interesi iu kushtua kohëzgjatjes së pranisë së tyre në gjak.
I gjithë paniku u shkaktua nga fakti që ky nivel antitrupash qarkullues bie pas disa muajve.
I gjithë shqetësimi erdhi nga mosnjohja e mekanizmave imunitare.
E gjithë frika erdhi nga vetëkënaqësia dhe besimet e verbëra se:
“…dimë çdo gjë…”
“…shkenca ka zbuluar çdo gjë…”
“…antitrupat e matshëm janë e vetmja formë imuniteti…”
“…dhjetë minuta lexim titujsh mediatikë barazojnë studimin e imunologjisë..“
Duke sjellë rrjedhojën më të rëndë nga të gjitha.
MOHIMIN:

“Pjesa e imunitetit, që nuk jemi në gjendje të masim, NUK EKZISTON!”
Mirëpo harrojmë se natyra bën punën e saj, pavarësisht nga paaftësia jonë për të njohur, kuptuar, tejçuar dhe kujtuar mësimet e saj!
Ne mund të harrojmë, por NATYRA KUJTON!
Kështu vepron edhe sistemi ynë imunitar. KUJTON!

Në studimin e freskët nga shtypi, botuar vetëm pardje në prestigjiozen Science Immunology, autorët e institucioneve të shquara kërkimore Australiane demonstrojnë qartësisht se:

TË GJITHË INDIVIDËT KRIJOJNË QELIZA B KUJTESË KUNDËR SARS-CoV-2;
QELIZAT B TË KUJTESËS ISHIN TË PRANISHME DERI NË FUND TË STUDIMIT (242 DITË).
Ky është studimi më i gjatë i zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së imunitetit kujtesë deri më sot, pasi vetë pandemia ka zgjatur rreth 10 muaj deri më sot dhe autorët kanë studiuar ecurinë e imunitetit për 8 muaj deri tani.

Rezultatet janë lajme shumë të mira për personat që e kanë kaluar infeksionin në mënyrë natyrore, por mund të jetë sinjal pozitiv edhe për programin e vaksinimit.
Pra, miqtë e mi:

Ne mund të mos e njohim plotësisht apo të zgjedhim ta harrojmë natyrën, por kjo e fundit na njeh mirë ne dhe kujton … kujton gjithmonë!

Këshillë në prag festiv:

Le të bëhemi më të thjeshtë dhe të përulur, e të kuptojmë e të pranojmë kufijtë tanë njerëzorë.
Gëzuar Krishtlindjet miqtë e mi të krishterë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here