Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Romeo Gurakuqi ka hedhur akuza ndaj Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve në PD, të cilët vendosën skualifikimin e tij. Përmes një analize të publikuar në rrjetet sociale të titulluar “Opozita nën shqyrtimin e komisionerëve të paçertifikuar”, Gurakuqi ka hedhur akuza shumë të forta ndaj pjesëtarëve të këtij Komisioni, pjesë e së cilës ishin, Genc Ruli, Bujar Nishani, Mark Marku, Besnik Mustafaj dhe Enriketa Papa. Sipas tij, vendimi i marrë nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve në Partinë Demokratike është hakmarrje zemërthyesish, që ka si synim të vrasë opozitën. ““Opozita nën shqyrtimin e komisionerëve të paçertifikuem”. Në mbrëmjen e 22 tetorit 2020, pa prit dhe pa kujtuar, nga media mësova se isha vendosur në një listë të zezë përjashtimore nga një komision, të cilin Kryesia e PDSH e kishte krijuar për sigurimin e asaj çfarë Ambasadorja e SHBA në Tiranë, zonja Yuri Kim, e konsideroi një përfaqësi të kandidatëve të pastër të demokratëve në Parlament, në përmbushje të rolit thelbësor të opozitës në demokracinë e brishtë shqiptare. Prita me qetësi arsyetimin e vendimit personal të marrë nga komisionerët, por asgjë e tillë nuk më është dhënë deri më sot, përveç disa deklarimeve të përgjithshme, prozhmuese, fyese dhe akuzuese, të lëshueme në mënyrë konfuze nga komisionerët e paçertifikuar dhe që në kodin tonë konsiderohen shpifje për të cilat autorët duhet të mbajnë përgjegjësi. Pa asnjë respekt për detyrën e ngarkuar, pa pikën e seriozitetit dhe përulësisë ndaj shansit të dhënë për të lanë një herë një emër të mirë ndershmërie e drejtësie, pa asnjë metodologji, Komiteti i Shpëtimit Publik-Mehmeti II, i gjendur pa prit dhe pa kujtuar sërish në një vend nderi në Selinë mbi të cilën vodhën vrer për 3 vite me radhë, e përdoren shansin e dhënë jo për bashkim, por për “hakmarrje zemërthyerish” të modelit 2017: “dogjën” çdo raport koordinatorësh, nuk morën parasysh asnjë votim të anëtarësisë së PD”, deklaroi ai. Mes të tjerash në shkrimin e tij, ish-deputeti e quan ish-ministrin e Jashtëm, Besnik Mustafaj si shkresëmbajtësi dhe përkthyesi i Institutit të Nexhmije Hoxhës. “Askujt nuk i ka shkue ndër mend 30 vite ma parë, se do të vinte një ditë, që filtri i vlerësimeve të elitës politike të PDSh-së, si parti e Qendrës së Djathtë, e vendosur sot në vitin 2020 në rrugën e çmontimit të një regjimi kleptokratësh, do të kalonte përmes një komisioni, të përbërë nga anëtarë që janë formatuar në fillesë në kuzhinën e ish- Komitetit Qendror të PPSH. Imagjinoj si do të kishte reagu sot, dëshmori i demokracisë, Arben Broci kur do të shihte shkresmbajtësin dhe përkthyesin e Institutit të shoqes Nexhmije”, shkruan Gurakuqi.