Kreu i Partisë Demokratike dhe Jamarbër Malltezi janë thirrur nga Prokuroria e Posaçme për të dëshmuar në lidhje me kallëzimin që kanë depozituar ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
Sipas raportimeve, Prokuroria i ka ftuar të paraqiten në SPAK më 12 nëntor, në orën 10:00, ku do të pyeten në cilësinë e kallëzuesve.
Ky akt nga Prokuroria vjen pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, e cila nuk pranoi kërkesën e SPAK për të pushuar hetimet ndaj gjyqtares Gjoka dhe ktheu dosjen për të rinisur veprimet hetimore.
Irena Gjoka është gjyqtarja që ka firmosur vendimet për kërkesat e SPAK në kuadër të dosjes “Partizani”, çështja ku janë të pandehur kryedemokrati Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi.
Kallëzimi i këtyre dy të fundit ndaj gjyqtares lidhet me dyshimet për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit, ku pretendohet se nuk është pasqyruar një dënim i marrë në Greqi.









































