Tronditet pankina e Kontes/ Së shpejti takim me drejtuesit për vazhdimësinë në krye të Interit

0
203

Milani dhe Interi po dominojnë kreun e tabelës në Serinë A italiane, duke qenë vetëm një pikë larg njëri-tjetrit, por dukshëm superiorë ndaj skuadrave të tjera, duke lënë në vend të tretë Juventusin (përkohësisht, pasi “Zonja” shihet favorite për të fituar titullin kampion në fund të edicionit). Por vëmendjen së fundmi po e merr Interi dhe trajneri Antonio Konte. Mësohet se Interi do ta mbyllë vitin me transfertën ndaj Veronës nesër në mbrëmje në “Bentegodi”, ndërsa Konte ka dalë sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka folur me superlativa për kundërshtarin dhe ka bërë thirrje për një sforco të fundit nga futbollistët e tij. “Verona është një kundërshtar shumë i fortë dhe duhet të komplimentoj trajnerin Juriç, që për të dytin sezon radhazi po bën një punë të jashtëzakonshme. Ata u kanë hapur punë të gjithë kundërshtarëve të fortë këtë sezon, ndaj e dimë që na pret një 90-minutësh shumë i vështirë, ku mund të fitohet vetëm duke dhënë maksimumin”, u shpreh trajneri zikaltër. Menjëherë pas sfidës në “Bentegodi” Seria A do të ndalet për 10 ditë dhe do të rikthehet në janar, ndërsa Konte zbulon se do të diskutojë me drejtuesit për të parë se çfarë mund të përmirësojnë në organikën e skuadrës, duke qenë se jemi në prag të rihapjes së merkatos. “Menjëherë pas Veronës do të kemi një takim me drejtuesit e klubit, për të parë edhe opinionin e tyre për punën e bërë gjatë këtyre 4 muajve. Është shumë e rëndësishme të takohemi dhe të diskutojmë për zgjidhjet që kemi dhe gjërat që duhet të përballojmë”, tha Konte. Krahasuar me një vit më parë, Interi ka bërë më pak “turn-over” dhe një pjesë e mirë e titullarëve janë “shtrydhur” në maksimum duke luajtur çdo tre ditë, ndërsa Konte e lidh këtë pikërisht me dëmtimet e shpeshta, ku nuk ngurron të flasë edhe për Sançez. “Kemi bërë më pak ndryshime në formacion, por kjo kryesisht për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 dhe dëmtimet e shpeshta të lojtarëve. Nëse flasim për Sançez, është fakt që po dëmtohet shumë shpesh dhe kjo sigurisht që peshon edhe në zgjedhjet tona”, u shpreh trajneri i Interit. Ndërkohë, Interi do ta mbyllë këtë vit pa praninë e Aleksis Sançez në fushën e lojës. Kështu, Sançez do të mungojë edhe në ndeshjen kundër Veronës, që zhvillohet të mërkurën dhe është e fundit për këtë vit në Serie A. Sançez u lëndua dy javë më parë kundër Kagliarit dhe pritet të mungojë edhe në tri ndeshje të tjera, raporton të martën “Gazzetta dello Sport”. Ai mund të kthehet në fushë në janar të vitit të ardhshëm, në ndeshjen kundër Krotones ka bërë të ditur stafi mjekësor i Interit. Mungesë tjetër te Interi për duelin me Veronën, do jenë edhe Matias Vecino e Andrea Pinamonti, që të dy të lënduar. Sançez 32-vjeçar, iu bashkua Interit këtë vit nga Mançester Junajtid. Ai në 14 ndeshje për ekipin Italian në të gjitha garat, ka shënuar dy gola dhe ka bërë tri asistime. Interi i ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit në Serie A dhe zë vendin e dytë në tabelë me 30 pikë, një më pak se Milani që është lider.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here