PD ndez motorët e fushatës, Basha cakton Alibeajn dhe Helidon Bushatin si koordinatorë në Fier dhe Shkodër, Bujar Leskaj në Vlorë

0
264

Ashtu siç gazeta e deklaroi pak ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ndezur zyrtarisht motorët e fushatës në selinë blu. Prej disa ditësh demokratët dhe aleatët tradicionalë ishin në ankth, pasi PD ishte e vetmja parti që qëndronte në llogore, duke mos hedhur asnjë hap sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 edhe pse ditët kalojnë. Por teksa ndodhemi katër muaj përpara zgjedhjeve, burime për gazetën bëjnë me dije se kryedemokrati Basha ka nisur të caktojë drejtuesit politikë në qarqe. Kështu, sipas informacioneve mësohet se në qarkun e Shkodrës, Basha ka vendosur t’ia besojë fushatën e Partisë Demokratike Helidon Bushatit, ndërsa në qarkun e Fierit drejtues politik do të jetë ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj. Po ashtu, të njëjtat burime bëjnë me dije se ish-deputeti demokrat, Helidon Bushati u prezantua ditën e djeshme nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. Por ajo që bie në sy në këtë zgjedhje që ka bërë lideri demokrat, ka të bëjë me faktin se ai ka rikthyer në kryeqendrën e veriut një emër që gëzon popullaritet dhe aspak të panjohur për qytetarët. Zoti Bushati ka qenë deputet në legjislaturën 2013-2017, ndërkohë që në zgjedhjet e fundit edhe pse Basha e vendosi të katërtin në listë ai u tërhoq me dëshirën e tij. Mirëpo, duke qenë se ish-deputeti Bushati gëzon popullaritet dhe në Shkodër Partia Demokratike ka përçarje për shkak se kryebashkiakja në detyrë, Voltana Ademi është treguar në disa raste “kryeneçe” në raport me Bashën, duke mos iu bindur këtij të fundit, ai ka menduar që të vendosë Bushatin si prijës të fushatës së PD për zgjedhjet e 25 prillit. Pra, si duket Basha ka frikën e rrjedhjeve të votave nga kundërshtarët brenda partisë dhe ka vendosur Bushatin për të mbajtur të bashkuar Partinë Demokratike. Megjithatë, vlen të theksohet fakti se ish-deputeti Bushati gjatë kohës që ka qenë në politikën aktive dhe deputet, ka pasur herë pas here fërkime me zonjën Ademi.

Bujar Leskaj në Vlorë

Por nga ana tjetër, gazeta ka mësuar se edhe për qarkun e Vlorës, kreu i PD, Lulzim Basha tashmë e ka piketuar edhe emrin që do të prijë fushatën e Partisë Demokratike si koordinator është ish-deputeti, ish-ministri dhe ish-kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj. Ky i fundit është një emër që gëzon shumë popullaritet në Vlorë, kështu që Basha ia ka besuar atij drejtimin dhe koordinimin e fushatës. Ndërkohë mësohet se ditët e ardhshme, PD pritet të caktojë drejtuesit politikë edhe për 9 qarqet e tjera të vendit. Kujtojmë që drejtuesit politikë janë ekipi kryesor i fushatës politike të një partie. Kjo do të thotë se po të shikohet me kujdes vendimi i Bashës për të zgjedhur si koordinator në Shkodër Helidon Bushatin apo Bujar Leskajn në Vlorë, tregon qartë atë që ka thënë pak ditë më parë gazeta, se kryedemokrati Lulzim Basha po e vononte nxjerrjen e 12 drejtuesve politikë të PD, për shkak se ai po peshonte emrat dhe në çdo qark i duhej të vendoset një figurë popullore dhe të fortë politikisht, për të mos lënë shkak për përplasje brenda Partisë Demokratike dhe anatemuar nga kundërshtarët politikë. Megjithatë, mbetët të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here