Itali/ Ndihen lëkundje tërmeti, epiqendra në det pranë Sicilisë, qytetarët dalin në rrugë: Ishte tronditje e fortë dhe e gjatë

0
44

Një tërmet me magnitudë 4.4 u regjistrua mbrëmjen e së martës në zonën e Ragusas, në Siçili. Kështu bëri të ditur Instituti Kombëtar italian i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë. Epiqendra është lokalizuar në det, 15 kilometra në jug të Acate, me thellësi 30 kilometra. Tërmeti u ndie nga popullsia që doli në rrugë dhe sheshe. “Ishte një tronditje shumë e fortë dhe e gjatë”, thonë dëshmitarët. Për momentin mediat italiane nuk raportojnë dëme.

Tërmeti u ndje fortë në Sirakuzë, Catania dhe midis Licata (Agrigento) dhe Gelas (Caltanissetta), por edhe në Palermo. Zjarrfikësit informuan përmes Tëitter se nuk kishte asnjë telefonatë ankthi ose ndonjë dëm të raportuar. Edhe nga kontrollet e kryera nga Departamenti i Mbrojtjes Civile, nuk u gjet asnjë dëmtim ose të lënduar pas tronditjes.

“Dëgjuam një gjëmim të fortë, një tronditje shumë të gjatë, llambadarët po lëviznin, menjëherë kuptuam se ishte një lëkundje dhe instinktivisht e gjetëm veten të gjithë në rrugë”, thotë Valeria Zorzi nga Vittoria, një nga qendrat e Raguzës ku tërmeti u ndje fort. “Covid të detyron të rrish brenda, por tërmeti të detyron të dalësh jashtë…. dhe presim me ankth”, shtoi ajo.

“Kisha shumë frikë, gjithçka po dridhej”, janë fjalët e Stefano Sucato, i cili jeton në Comiso. “Shumë njerëz kanë ikur dhe janë ende në rrugë”, shtoi ai për TGCOM24. Tërmeti u ndie në shumë komuna në Siçilinë lindore por edhe në disa zona të anës perëndimore. “Gruaja ime është në Lascari, në zonën e Palermos, dhe ajo gjithashtu e ka ndjerë atë”, përfundon ai.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj