Kisha e Shën Triadhës, në proces restaurimi afresku

0
372

Procesi i restaurimit të afreskut po vazhdon në kishën e Shën Triadhës në Berat. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat shprehet se në këtë fazë punimesh gjatë këtyre ditëve, po punohet për plotësimin e bordurimeve dhe konsolidimit të pelikulave. “Vazhdon procesi i restaurimit të afreskut të kishës së Shën Triadhës. Në këtë faze specialistët restauratorë po punojnë për plotësimin e bordurimeve duke vijuar me tej me konsolidimin e pelikulat”, shprehet DRTK, Berat. Kisha e Shën Triadhës është një nga më të vjetrat në qytetin e dritareve një mbi një. Monumenti ngrihet në afërsi të mureve të garnizonit dhe atyre jugore të kalasë së Beratit dhe ka një pozicion shumë të bukur e panoramik. Është ndërtuar në një terren të pjerrët, drejtpërdrejti mbi shkëmbin natyral. Kisha është e stilit kryq i brendashkruar me mbështetje të brendshme në dy kolona në anën perëndimore dhe nga dy pilastra në atë lindore. Pjesët përbërëse të kishë janë; narteksi, naosi dhe mjedisi i altarit. Narteksi është i ngjitur me muraturën e naosit nëpërmjet fugave mjaft të qarta dhe duhet të jetë ndërtuar menjëherë pas naosit. Në narteks hyhet nga tre dyer, ku ajo perëndimore është kryesorja që mbulohet me një hark tullash, ndërsa dy të tjerat mbulohen me arkitrarë guri monolit. Prej narteksit nëpërmjet një porte të mbuluar me hark komunikohet me ambientin e naosit me planimetri katrore dhe me një kuotë më të lartë se narteksi, duke ndjekur linjën e terrenit. Në qendër të dyshemesë ndodhet kupola gjysmësferike e ngritur mbi tamburin cilindrik, në të cilin ndodhen katër dritare të larta. Fragmentet e kolonave dhe kapiteleve duket që janë ripërdorime dhe i përkasin periudhave më të hershme se koha e ndërtimit të kishës. Ambienti i altarit i ndodhur në kuotën më të lartë është ndërtuar direkt në shkëmb, dhe nga ana e jashtme absida aktualisht ndodhet e rrethuar nga struktura muresh relativisht të vona. Edhe në këtë kishë ashtu si në rastin e Vllahernës kemi zbatimin e teknikës së klausonazhit (ndërthurja e tullës me gurin) jo që në fillim të nuraturës, por në mesin e saj. Piktura murale brenda në kishë ka skena me temë biblike. Nga mbishkrimi i ruajtur mbi hyrjen jugore të narteksit del se monumenti është ndërtuar nga themeli në kohën kur sundonte Androniku II Paleolog (1282-1328), pra fundi shekullit të XIII dhe fillimi i shek. XIV.  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here